Sipas të dhënave të publikuara në korrik të vitit të kaluar nga Agjencia e Statistikave e Kosovës, komuna e Fushë-Kosovës kryeson për nga rritja më e madhe e popullsisë, me një shtim prej rreth 84 për qind, bazuar në regjistrimin e fundit të popullsisë.
Aktualisht, kjo komunë numëron rreth 65 mijë banorë.
Ky rritje e shpejtë e popullsisë tregon për një mbipopullim të qytetit në vitet e fundit.
Megjithatë, pavarësisht kësaj rritjeje, Fushë-Kosova ende nuk ka një ndërmarrje komunale për menaxhimin e mbeturinave.
Aktualisht, grumbullimi i tyre bëhet nga kompania “Pastrimi”, e cila nuk ka kapacitete të mjaftueshme për të përballuar nevojat e qytetit.
Për rrjedhojë, mbeturinat janë të pranishme në shumë pjesë të qytetit. Nënkryetari i komunës, Besnik Osmani, tregon se për momentin grumbullimi i mbeturinave po realizohet përmes donacioneve.
“Kompania regjionale ‘Pastrimi’ e bën grumbullimin e mbeturinave, e dimë që kapacitetet e ndërmarrjes nuk janë të bollshme që me i ofru shërbimet në raport me trendin e rritjes së kërkesave për grumbullim sepse është një ‘bum’ i madh ekonomik që ndodhet në komunën tonë, për këtë arsye ne kemi resurse shtesë që i kemi angazhuar në kuadër të komunës, ne po punojmë shumë me donatorët”, thekson ai.
Osmani shton se kohët e fundit komuna ka shpërndarë rreth 1,000 kontejnerë të rinj për të reduktuar problemin me bërllokun.
“Vetëm muajt e fundit ne së bashku më donatorët kemi shpërndarë rreth 1 mijë kontejnerë dhe kemi vendosë një skemë komplet të re të qytetit. Te pjesa e fshatrave, ky proces i mbledhjes funksionon në mënyrë normale. Mirëpo, po, jemi të sfiduar në qytet për shkak të kapaciteteve të vogla të ndërmarrjes. Ka dy vjet që ne e kemi dorëzuar në qeveri, nuk na është dhënë ende drita jeshile për me organizu këtë ndërmarrje komunale për menaxhimin e mbeturinave”, deklaron Osmani.
Nga ana tjetër, këshilltari komunal nga radhët e PDK-së, Mirsad Qyqalla, thekson se janë qytetarët ata që po vuajnë më së shumti nga mungesa e pastërtisë.
“Mbeturinat në qytetin tonë janë bërë një problem shqetësues për qytetarët, kjo për shkak se banimi në Fushë-Kosovë është shtuar, tani kemi mbi 65 mijë banorë, e ka nxjerrë në pah edhe këtë problem. Pavarësisht kësaj ne nuk kemi një ndërmarrje komunale që ishte dashur të merret me mbeturinat, jashtë kontejnerëve, dhe në parqe”, thotë Qyqalla.
Ai përmend edhe problemet me vendosjen e kontejnerëve nga ndërtuesit.
“Problem, tutje mbetet edhe vendosja e kontejnerëve siç e dimë që një ndërtimtar kur merr leje duhet të pajiset edhe me hapësirën për vendosjen e kontejnerëve, mirëpo te ne e gjen që kujtdo që i ka penguar nuk i ka lejuar me i vendos para hyrjes së tyre. Siç po shihet komuna nuk e ka as motivin e as vullnetin që t’ua potencojë edhe ndërtuesve edhe banorëve këtë kriter”, deklaron Qyqalla.
Problemet me menaxhimin e mbeturinave nuk janë të pranishme vetëm në Fushë-Kosovë. Edhe Prishtina, pavarësisht buxhetit të madh që ndan për këtë çështje, vazhdon të përballet me telashe të ngjashme në eliminimin e bërllokut.