Arbëri

Vdiq Behar Topilla, dëshmitari i vetëm i masakrës së Sharavinës në Çikatovë të Vjetër të Drenasit

Behar Topilla

Ka ndërruar jetë Behar Topilla, dëshmitari kryesor i masakrës te Sharavinat e Çikatovës së Vjetër në Drenas.

Lajmin për vdekjen e kanë dhënë familjarët e tij në rrjetet sociale.

Behar Topilla, ishte një nga figurat më domethënëse në kujtesën e masakrës së Sharavinës, zonë e Çikatovës së Vjetër të Drenasit. Ai ishte i vetmi që i kishte shpëtuar masakrës së 1 majit 1999, në të cilën u vranë mbi 40 civilë shqiptarë. Topilla kishte mbetur i i plagosur dhe i fshehur nën trupat e viktimave derisa arriti të shpëtonte.

Kështu, duke mbetur edhe dëshmitari kyç i një prej krimeve më të rënda të luftës së fundit në Kosovë.

Kjo masakër ishte pjesë e shumë krimeve të kryera ndaj civilëve shqiptarë në Drenicë, krahas masakrave të tjera si ato në Izbicë, Rezallë, Poklek, Qikatovë të Re etj.

Por, historia e Topillës u bë e njohur në mbarë botën përmes gazetës amerikane The Salt Lake Tribune, e cila në atë kohë botoi artikullin me titullin "I Mbijetuari i Vetëm".

Zëri i tij ishte pjesë e dëshmisë së gjallë të masakrës së Shavarinës, një histori që e mbajti në shpirt deri në fund të jetës së tij.