Festivali i Filmit në Cannes, i njohur për rregullat e tij të rrepta, ka vendosur tani një ndalim të qartë për lakuriqësinë në tapetin e kuq. Në prag të edicionit të 78-të, organizatorët e festivalit kanë përditësuar kodin e veshjes për të theksuar se “lakuriqësia është e ndaluar në tapetin e kuq, si edhe në çdo hapësirë tjetër të festivalit”, ka raportuar agjencia e lajmeve Associated Press.
Edhe pse lakuriqësia nuk ka qenë kurrë e lejuar zyrtarisht, vendimi ka tërhequr vëmendje të madhe këtë vit për shkak të prirjes së fundit për fustane transparente apo “nude”, si ai që veshi Bianca Censori në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Grammy”.
Zëdhënësit e festivalit sqaruan se ky rregull nuk është i ri, por tashmë është bërë më i qartë në rregulloren zyrtare.
“Qëllimi nuk është të rregullohet veshja në përgjithësi, por të ndalohet lakuriqësia e plotë në përputhje me kuadrin institucional të ngjarjes dhe ligjin francez”, thuhet në deklaratë.
Përveç ndalimit të lakuriqësisë, festivali ka ndaluar edhe veshjet shumë voluminoze, si fustanet me bisht të gjatë, që mund të bllokojnë lëvizjen e të ftuarve ose të krijojnë vështirësi në ulëset e teatrit.
Megjithatë, ekspozimi i trupit ka qenë gjithmonë pjesë e festivalit, me yje si Bella Hadid, Naomi Campbell dhe Kendall Jenner që kanë veshur fustane shumë "të guximshme" ndër vite. Për premierat e mbrëmjes në sallën prestigjioze “Grand Théâtre Lumière”, kërkohet veshje formale: kostume të zeza për burrat dhe fustane mbrëmjeje për gratë.
Në të kaluarën, gratë janë kthyer mbrapsht nga hyrja për shkak se nuk mbanin taka të larta, edhe pse kjo praktikë nuk është zbatuar kohët e fundit.
Ky nuk është ndalimi i parë nga ky festival. Që nga viti 2018, festivali ka ndaluar edhe fotografitë “selfie”, me drejtorin Thierry Frémaux që i ka cilësuar ato si “të shëmtuara”. Megjithatë, edhe sot e kësaj dite, disa të famshëm nuk përmbahen pa bërë ndonjë foto në shkallët e Palais.
Festivali i 78-të i Filmit në Cannes nis të martën më 13 maj.