Vetëm një ditë pasi u njoftua se Festivali i Filmit në Cannes do të ndalonte fustanet “nude” dhe fustanet me përmasa të mëdha në tapetin e kuq dhe në ngjarjet e tjera në kuadër të festivalit, shumë yje sërish tërhoqën vëmendjen me fustane voluminoze e bishte të gjata.
Modelja Heidi Klum, e njohur për veshjet e saj transparente në vitet e mëparshme në Cannes, e sfidoi hapur rregullin e ri me fustan rozë me të bardhë, i cili kishte bisht gjigant që binte në sy, ka shkruar agjencia e lajmeve Associated Press.

Në të kundërtën, Bella Hadid, e cila është bërë e njohur për paraqitjet e saj të guximshme në këtë festival, këtë herë zgjodhi një fustan të zi më të thjeshtë dhe elegant, ndërsa kishte ndryshuar edhe ngjyrën e flokëve.

Aktorja kineze Wan QianHui pozoi me një fustan të bardhë të madhësisë së jashtëzakonshme, që ngjante me re ose si të ishte i mbuluar me topa pambuku, teksa qëndronte në shkallët e Pallatit të Festivalit.

Modelja Alessandra Ambrosio zgjodhi një fustan ku volumi binte në sy kryesisht në pjesën e mëngëve, ndërsa bishti i fustanit të saj ishte më i shkurtër në krahasim me veshjet e tjera.

Aktorja Halle Berry, e cila këtë vit është pjesë e jurisë së festivalit, tregoi se edhe ajo ishte detyruar të ndryshonte veshjen e saj për natën hapëse për t’iu përshtatur rregullave të reja.

“Duhej të bëja një ndryshim. Kisha një fustan të mrekullueshëm me bisht të gjatë për hapjen. Por për pjesën e lakuriqësisë, mendoj se është një rregull i mire”, ka thënë Berry.
Pjesëtarët e tjerë të jurisë, të udhëhequr nga Juliette Binoche, duket se nuk e sfiduan rregullin në mbrëmjen e hapjes.
Megjithatë, mbetet e paqartë se sa do të zbatohet në të vërtetë ky rregull, pasi figura si Wan QianHui dhe të tjerë me veshje të mëdha nuk u ndaluan nga tapeti i kuq dhe nuk u larguan nga ngjarja.