Kulturë

Balerinët rusë dhe ukrainas kapërcejnë dallimet e shkaktuara nga lufta

Në kohën kur është ngritur zemërimi botëror pas dëshmive për vrasjen dhe masakrimin e civilëve ukrainas nga forcat ruse, valltarët më të njohur të dy vendeve në luftë kanë vallëzuar bashkë në një performancë të jashtëzakonshme në Napolin duke bërë thirrje për paqe, raporton agjencia AP.

Një balerinë ukrainase, e cila është zhvendosur për shkak të luftës në vendlindje dhe një balerinë ruse, e cila ka hequr dorë nga Baleti i Bolshoit pas pushtimit rus të Ukrainës, kanë vallëzuar në teatrin San Carlo në qytetin jugor të Italisë. Shfaqja është mbajtur të hënën mbrëma në një ngjarje kulturore të organizuar për të mbledhur fonde për Kryqin e Kuq dhe kauzën e paqes në Ukrainë. Partnerët e kahershëm të vallëzimit, ukrainasi Denis Cherevichko dhe rusja Maria Yakovleva kanë hapur simbolikisht ngjarjen kulturore me një performancë të shoqëruar me muzikë të Fryderyk Chopinit. Teatri historik i Napolit e ka titulluar aktivitetin “Bashkë për Ukrainën – Balet për Paqe”. Në mesin e yjeve ishte edhe prima balerina Olga Smirnova, që hoqi dorë nga Bolshoi muajin e kaluar dhe tani është pjesë e Baletit Kombëtar të Holandës. Një tjetër yll ishte Anastasia Gurskaya, balerinë e njohur nga Opera e Kievit, e cila është zhvendosur nga vendlindja pas shpërthimit të luftës.