Kulturë

“Manifesta” viziton Tiranën për mundësi bashkëpunimi midis artistëve

Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, ka pritur në një takim Hedwig Fijen, themeluesen e Bienales Evropiane Nomade “Manifesta”. Siç raportojnë mediat në Shqipëri, gjatë takimit, Margariti dhe Fijen kanë biseduar për aktivitetin, si dhe kanë shkëmbyer eksperiencat.

“Me Hedwig Fijen, themeluesen e Manifesta Biennial, që stacionin e radhës ka Prishtinën. Një mundësi bashkëpunimi mes artistësh, shkëmbim eksperiencash dhe zhvillimit të një kalendari aktivitetesh, ku Tirana është një nga ndalesat”, citohet të ketë thënë ministrja Margariti.

“Manifesta” është një prej ngjarjeve më të rëndësishme të kulturës dhe artit në Evropë dhe një faktor me shumë rëndësi në zhvillimin e kulturës.

Në kërkim të vazhdueshëm të peizazheve të reja urbane, “Manifesta” e zgjodhi Prishtinën si epiqendrën e vëmendjes së saj, për edicionin e saj të 14-të.

Prej 22 korrikut të vitit që vjen, për 100 ditë radhazi sa do të zgjasë edicioni prishtinas i bienales nomade evropiane, Fijen – në një konferencë për media katër muaj më parë në Prishtinë – kishte thënë se organizatorët kanë për qëllim që të përfshijnë laramani audiencash, “t’i arrijmë të rinjtë, diasporën, profesionistët ndërkombëtarë e ata rajonalë, përfshirë edhe gazetarët e huaj”.

Ish-Fabrika e Tullave është objekti i parë, i cili do të shndërrohet përkohësisht në një hapësirë të komunitetit apo, siç i referohen organizatorët, “dhomë urbane e ndejës”.

Pas saj, ish-biblioteka “Hivzi Sylejmani” është objekti i radhës që, me bashkëpunimin edhe të studentëve të Fakultetit të Arkitekturës, do të kthehet nga një hapësirë e braktisur publike në një vend të qasshëm.

Në prezantimin e detajeve të organizimit, pos Hedwig Fijen, i pranishëm kishte qenë edhe bashkëthemeluesi i kësaj ngjarjeje, arkitekti Carlo Ratti, i cili të martën në Prishtinë do të bëjë prezantimin e vizionit urban të “Manifesta 14”. Po këtë ditë, do të bëhet edhe prezantimi i kuratorit dhe vizionit artistik.