Kulturë

“Manifesta 14” me 100 ditë e 800 mijë vizita zotohet për ndikim afatgjatë

E premtja ka qenë saktësisht dita e 99-të e bienales “Manifesta 14” në Prishtinë dhe në konferencën për media, shifrat në dukje të sakta kanë dominuar. Sipas organizatorëve, janë 800 mijë vizita në këtë edicion në kryeqytet, i pari në historinë e tij pa bileta e pa pagesë. Ndonëse zyrtarisht përfundon, Bienalja Nomade Evropiane nuk do të shkëputet prej vendit ku solli shkëlqimin e artit. Për të shteti investoi gati pesë milionë euro

“Manifesta 14” numëron orët e fundit në Prishtinë, por organizatorët e nikoqirët janë zotuar se ndikimi i saj do të jetë afatgjatë, përderisa do të ketë edhe aktivitete që do të organizohen edhe pas mbylljes zyrtare. Po ashtu, edhe disa objekte që kanë shenjat e Bienales Nomade Evropiane do të vazhdojnë të janë të hapura.

Në konferencën përmbyllëse të premten në “Kino Armata” janë shpalosur kryesisht statistika. Sipas tyre, “Manifesta 14” në kryeqytet ka pasur 800 mijë vizita.

Drejtoresha e “Manifestas”, Hedwing Fijen, kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama, dhe zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, kanë folur edhe për hapësirat, si dhe vazhdimësinë e ngjarjeve nëpërmjet fondacionit ndërkombëtar “Manifesta 14 Prishtina”, themeluar nga vetë Bienalja, Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, që është garantues për shtrirjen e ngjarjeve edhe për katër vjetët e ardhshëm.

Për 100 ditë, e shtrirë në 25 lokacione, Prishtina me “Manifesta 14” pati tjetër gjallëri. Prej 103 artistëve, gati gjysma realizuan vepra enkas për këtë Bienale. Sërish është përmendur numri i artistëve vendorë, rreth 40 për qind.

Me shifra ka folur kryesisht Hedwig Fijen. Kësisoj, “Manifesta” mirëpriti 151.609 vizita në ambientet e brendshme të hapësirave dhe mbi 626.210 vizita në veprat e vendosura në hapësira publike. Programi publik u ndoq nga 18.183 vizitorë. Ndërkaq numri i vizitorëve në çdo hapësirë besohet të jetë nga 600.000 deri në 700.000 përgjatë gjithë edicionit.

Pavarësisht shifrave në dukje të sakta, se si janë nxjerrë ato ka jo pak pikëpyetje, për shkak që i gjithë edicioni ka qenë pa pagesë dhe pa integrimin e biletave si matës.

Nëpërmjet Programit të Ndërmjetësimit – ku turistët përcilleshin nga ndërmjetësuesit e “Manifestas” për turne rreth qytetit – u organizuan 303 guida të ndërmjetësuara, duke i bërë që 2759 vizitorë ta njohin për së afërmi pasurinë dhe trashëgiminë e kryeqytetit.

“Mësimi” i investimit në art

“Mësuam se faktor i rëndësishëm i vendit është arti, se duke investuar në art e kulturë jo veç e përforcojmë vendin tonë, por njëkohësisht edhe ekonominë e vendit tonë”, ka thënë kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, gjatë konferencës përmbyllëse të “Manifesta 14”.

Sipas tij, edicioni i sivjetmë në Prishtinë është i pari në historinë e “Manifestas”, që trashëgiminë afatgjate të saj ia integroi konceptit fillestar, duke e bërë kështu bienalen përgjegjëse për themelimin e fondacionit “Manifesta 14 – Prishtina”, që do t’i bashkojë operacionet edhe për katër vjet të tjera me radhë. Kjo është përmendur si veçanti kryesore e këtij edicioni dhe pikërisht ky Fonacion garanton mospërmbylljen e edicionit të 14-të me kaq. Ky vizion do ta mundësojë mbajtjen gjallë të katër shtyllave kryesore të këtij edicioni: Qendrën për Praktikë Rrëfyese, Fabrikën e Tullave, Korridorin e Gjelbër dhe “Grand Hotel” Prishtina.

Qendra për Praktikë Rrëfyese do ta vijojë veprimtarinë deri në vitin 2027, me një investim prej një milion eurosh. Fabrika e Tullave do të ndiejë riaktivizimin dhe pastrimin e saj, në të cilën Komuna e Prishtinës do ta shtrijë programin e saj kulturor dhe aktivitetet në vitin 2023, gjithashtu me infrastrukturë për programin urban dhe artistik. Korridori i Gjelbër do t’i qëndrojë besnik emërtimit, në të cilën pritet të ndërtohet një market për fermerë, kopshtari urbane për fëmijë, një shkollë për të dielave dhe programe lojërash. Ndërkaq ikona e zemrës së qytetit, hoteli “Grand”, do të përdoret për aktivitete kulturore për artistë të Kosovës dhe të huaj.

Ndërkaq veprat të cilat s’do të largohen nga vendet publike janë edhe instalacioni i Petrit Halilajt, “Kur dielli të ikë, do ta pikturojmë qiellin”, i ndodhur pikërisht në maje të “Grandit”, si dhe edhe pesë punime të tjera të cilat nuk specifikohen.

Gjithashtu rruga “2 korriku” do të mirëmbahet si hapësirë për këmbësorë e kulturë nga Ministria e Kulturës dhe Komuna e Prishtinës. Në të njëjtën kohë artistët do të përkrahen edhe nëpërmjet blerjes së veprave të tyre, ku MKRS dhe Komuna e Prishtinës janë në proces të dialogut me palët e treta.

Në dhjetor do të bëhet vlerësimi i ndikimit, teksa në mars të vitit 2023 pritet të bëhen publikimet e matjes reale të çdo segmenti.

 

 

Ndryshimi i imazhit të vendit

Një aspekt i rëndësishëm i diplomacisë kulturore qe ndërrimi i narrativës. Shumica e turistëve vinin në Kosovë me rrëfimet për luftën, për jostabilitetin dhe identifikimin e vendit me trazira. Ndërkaq nuk ktheheshin gati asnjëherë pa e ndërruar kjo përshtypje.

Njëri nga ta ishte edhe Rudolf Hemetsberger, turisti nga Austria, i cili kishte ardhur për të parën herë në “Manifesta” dhe në Prishtinë.

“Nëse bëhem i sinqertë, plot gjëra të këqija. Kam dëgjuar se është vend i luftës, ku ndodhin gjëra të këqija. Gjithmonë e kam njohur si pjesë e një regjioni në botë, që ka ngjarje të këqija dhe që njerëzit kanë nevojë. Por tash e shoh se ka liri, njerëzit po e shijojnë jetën. Arti po ndodh këtu. Jam shumë i befasuar për të mirë”, kishte thënë ai në fund të muajit gusht për KOHËN.

Këtë pjesë e ka veçuar zëvendësministrja e Kulturës, Daulina Osmani.

“Kësaj radhe ‘Manifesta’ ka dhënë mundësinë që njerëzit të vijnë këtu dhe të ndërrohet mendimi: se ka stabilitet, s’ka luftë, njerëzit kanë ardhur dhe kanë përjetuar ndërrimin e narrativës. Kemi bërë shumë shpesh përmes sportit, e tash përmes artit po tregojmë shumë për një shoqëri”, ka thënë Osmani.

“New York Times”, “Reuters”, “Monopol”, “Deutsche Welle” janë veç disa nga mediat me renome ndërkombëtare të cilat kanë shkruar për edicionin që është shtrirë në Prishtinë.

“Pjesa më e fuqishme për perspektivën shtetërore është rezonimi pozitiv i mediave për njerëzit, infrastrukturën këtu. Nëse i lexojmë, i shohim sa reflektim i mirë është”, ka thënë drejtoresha e “Manifestas”, Hedwing Fijen. Sipas saj, prej vitit 2019 janë publikuar më shumë se 750 artikuj, e 100 prej tyre gjatë Bienales ishin nga media ndërkombëtare.

“Prishtina zuri vendin e mediave ndërkombëtare jo për makiatot më të mira në botë, as për narrativën e një qyteti të pasluftës, mirëpo për potencialin e jashtëzakonshëm për të krijuar dhe për të qenë pikë e rëndësishme për skenën kulturore, evropiane e botërore”, ka thënë kryetari Përparim Rama.

Në të njëjtën kohë vizita e personaliteteve të famshme, si Dua Lipa ka bërë që vëmendja të kthehet në Kosovë.

“Gazetarët e ‘New York Times’ i kanë intervistuar disa të rinj të cilët kanë thënë se kanë ardhur pasi Dua Lipës i pëlqeu ‘Manifesta”, ka thënë Hedwing Fijen.

Për zëvëndësministren e Kulturës, Daulina Osmani, arti po shërben si platformë për vendosjen e Kosovës në hartën ndërkombëtare.

“Dhe jo veç të performancave të artistëve vendorë në arenën ndërkombëtare, por tash edhe përmes ngjarjeve kulturore dhe artistike”, ka thënë Osmani.

“Festa” në mbylljen e “Manifestas” do të ketë një tjetër ngjarje këtë të diele, në ish-Fabrikën e Tullave, ku do të dëgjohen tingujt e jugut të Shqipërisë në Prishtinë me perfomancën speciale të grupit të mirënjohur “Saz’iso”.

Në Prishtinë “Manifesta” erdhi nga Marsej, ku i mbajt dy vjet më parë. Buxhetit të shtetit deri tash i kushtoi gati 5 milionë euro dhe Prishtinën më 2018 e përzgjodhi si qytet në “udhëkryq midis perëndimit dhe lindjes së Evropës”. Ishte në garë me Kievin e Vjenën. Pikërisht për faturën e lartë, jo pak artistë vendorë do ta vinin në pikëpyetje peshën e kësaj ngjarjeje. Në mbrëmjen e 22 korrikut, “Manifesta 14” do të hapej me pjesëmarrjen e edhe të zyrtarëve më të lartë të shtetit, kryeministrit Albin Kurti e presidentes Vjosa Osmani, që në fjalimet e tyre kryefjalë patën shkëlqimin e artit.