Kulturë

Shkodra allaturka e evropiane në dy dekadat e shekullit të kaluar

Me llagapin e kahershëm si kryeqytet i kulturës shqiptare, Shkodra përjetoi njësoj fatet e pjesës tjetër të Shqipërisë. Nga lagjja Sereqi buthtoi një kulturë që qëndronte në lartësitë evropiane, teksa lagjet e tjera që i mbiviheshin njëra-tjetrës pasqyronin shtresa-shtresa kultura e gjendje sociale të botës shqiptare. Nga portiku i katedrales së Shën Shtjefnit e deri te lagjet më periferike të qytetit, nga pazari plot rrëmujë e ngjyra e deri te llogoret e Taraboshit të lara në gjak, nga kështjella e Rozafatit gjer në Bardhaj ku fushonte ushtria cërnagore, një histori ngjarjeshumë e Shkodrës është shpalosur nëpërmjet fotografive të nxjerra nga arkivat austriake

“Shkodra. Albanien”, është diçitura e dhjetëra kartolinave ngjyrashumë për kryeqendrën e Veriut shqiptar. Ushtarët austriakë që i ngrysnin ditët në Shkodër ua nisnin ato me përmallim familjeve në Austri në prag të Kërshëndellave. Janë dy botë që po ndërndërrohen si me magji: një zallamahi allaturka me fesa të kuq e gra me dimi përkundrejt një arkitekture evropiane që po fliste përmes godinash të hijshme.

Duke u shpalosur nga faqja në faqe pasojnë dhjetëra fotografi që në bardhezinë e tyre sjellin origjinalin e jetës shkodrane nga vitet 1908 deri më 1918.

I shpluhurosur për herë të parë nga arkivat austriake, albumi “Histori shkodrane në fotografi” me autor Pjetër Logorecin është një udhëtim fascionant për njerëzit e thjeshtë të Shkodrës, për rrugët, shtëpitë, llogoret e luftës sfilitëse me ushtrinë pushtuese malazeze e deri te vitet e qeta kur qytetin e vizitonte edhe arqiduka Maksimilian.

I promovuar të mërkurën në mjediset e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, ky botim është vlerësuar si një kontribut i paçmueshëm në njohjen e Shkodrës dhe historisë së saj në dy dekadat e para të shekullit të kaluar.

“Me i shërbye Shkodrës”

Libri i autorit që jeton prej 22 vjetësh në Austri është fryt i kërkimeve disavjeçare në disa arkiva federale austriake si: Arkivi i Shtetit Austriak, Arkivi i Bibliotekës Kombëtare të Vjenës, Arkivi i Bashkisë së Vjenës, Arkivi i Bibliotekës së Universitetit të Vjenës dhe Arkivi i Bibliotekës së Universitetit të Gracit.

“Detyra me i shërbye qytetit të lindjes, Shkodrës, më ka ngucë me germue arkivat, tuj investue të gjithë energjitë mendore e mundsitë e mija ekonomike, me gjetë dokumenta të panjoftun ma parë n’fushën e kulturës e të historisë qytetase e kombtare”, ka shkruar në parathënien e librit konceptuesi dhe realizuesi i albumit, Pjetër Logoreci.

{gallery}

Duke u shpalosur nga faqja në faqe pasojnë dhjetëra fotografi që në bardhezinë e tyre sjellin origjinalin e jetës shkodrane nga vitet 1908 deri më 1918

 

“Fotografi që fiksuan historinë”

Me një fjalë të shkurtër për librin, Selver Islamaj, hulumtues në Institutin e Historisë “Ali Hadri”, ka thënë se autori Logoreci ka sjellë një kontribut të vyer meqë për herë të parë janë shpalosur fotografi e kartolina të panjohura.

“Prej shekullit të 16-të, austriakët kanë treguar interesim për shqiptarët”, ka thënë Islamaj, duke shtuar se libri është edhe një grishje për hulumtime të mëtejshme në institucionet arkivore të shtetit austriak.

Në këtë drejtim, ka vijuar ai, edhe fotografitë kanë ngrirë kohën në momente të caktuara në Shkodrën e para një shekulli.

“Ky libër, pra, është nxitje që të merremi më shumë me zbardhjen e dokumentacionit tejet të pasur në këto arkiva”, ka shtuar Islamaj.

“Një sekuencë shkodrane”

Në fjalën e lexuar në përurim, veprimtari i arsimit shqip në Austri, Hazir Mehmeti, ka vlerësuar se albumi i pasardhësit të familjes Logoreci sjell një sekuencë shkodrane “aq të munguar nga vitet e izolimit dhe robërimit”.

Sipas tij, vepra e autorit shkodran ka vlera kombëtare e studimore, duke qenë fryt i punës disavjeçare në arkivat austriake.

“Brenda pesë kapitujve të albumit jepen fotografi të panjohura që pasqyrojnë jetën e shkodranëve, sidomos gjatë rrethimit nga ushtria pushtuese malazeze”, ka thënë Mehmeti, i cili është edhe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë “Aleksandër Moisiu”.

Në 150 faqet me material të vyer fotografik, fotografitë e “Shkodrës së rrethueme” e fiksojnë nëpërmjet celuloidit muajt më të vështirë të qytetit verior kur ushtria malazeze e më pas edhe ajo serbe e vunë nën rrethim qytetin. Kështu, fotografitë përcjellin vullnetarët shqiptarë në mbrojtje të qytetit, llogoret në malin e Taraboshit, pika mbrojtje në Bardhaj e vende të tjera strategjike. Teksa muajt e rrethimit po zgjateshin edhe shkatërrimet shtoheshin në mënyrë eksponenciale. Predhave të artilerisë malazeze, siç del nga fotografitë, nuk u shpëtonin madje as ndërtesat e konsullatave angleze, franceze, austriake e ruse.

Mbi rrënojat e shtëpive të shkatërruara shkodrane ka qytetarë të vrarë e të tjerë që vdekja i përlau përmes urisë.

Kështu lufta është e dokumentuar edhe në krahun tjetër, atë të rrethuesve. Fotografi të njëpasnjëshme paraqesin princin Danillo që viziton ushtarët malazezë kundrejt malit të Taraboshit, ministrin e Luftës nga Cetina, çadrat e fushimit të ushtrisë në rrethinat e Shkodrës.

“Çdo familje shkodrane ka pasur nga një vullnetar në llogoret e Taraboshit për mbrojtjen e qytetit”, ka thënë Mehmeti gjatë leximit të vlerësimit recensial të librit.

“Kosova, gjysma e trupit tonë”

Në fund, të pranishmëve u është drejtuar me një fjalë edhe autori i librit, Pjetër Logoreci. Ai ka thënë se familjes Logoreci i janë dhënë mundësi vetëm pas rënies së regjimit komunist.

“Jam rritur në një mjedis familjar ku Kosova është konsideruar si gjysma e trupit tonë”, ka thënë ai.

Sipas tij, Shkodrës së dikurshme, me kulturë e sqimë, sot nuk i ka mbetur thuajse asgjë. “Vetëm nga lagjja Sereq ka dalë bërthama e kulturës evropiane të qytetit”, ka shtuar Logoreci.

Tutje, autori i albumit fotografik ka folur edhe për rolin e Kolë Idromenos, i cili, në mesin e shumë veprave, pati gisht edhe në portikun e katedrales së Shën Shtjefnit.

“Pa Idromenon, Shkodra do të ishte allaturka, por ai u bë themel i evropianizmit të qytetit”, ka thënë Logoreci.

Ndryshe, albumi fotografik “Histori shkodrane në fotografi” është mbështetur financiarisht nga familja Jakaj në Shkodër.