KOHA nëpërmjet dy burimeve në MKRS ka mësuar se nënshkrimi i vendimit për përfshirjen e ndërtesës në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme do të bëhet sot (e martë) nga ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku. Kësisoj, do të marrin epilog përplasjet midis Komunës së Vushtrrisë dhe Ministrisë së Kulturës. Ky hap i MKRS-së do të vijë pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila në fillim të muajit kishte aprovuar kërkesën e Ministrisë së Kulturës që të mos ekzekutohej vendimi i Komunës së Vushtrrisë për rrënimin e ndërtesës që gjendet në zemër të qytetit
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e ka hartuar vendimin për përfshirjen e ish-ndërtesës së Gjykatës në Vushtrri në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme. Kësisoj, do të marrin epilog përplasjet midis Komunës së Vushtrrisë dhe Ministrisë së Kulturës. Ky hap i MKRS-së do të vijë pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila në fillim të muajit kishte aprovuar kërkesën e Ministrisë së Kulturës që të mos ekzekutohej vendimi i Komunës së Vushtrrisë për rrënimin e ndërtesës që gjendet në zemër të qytetit.
KOHA nëpërmjet dy burimeve në MKRS ka mësuar se nënshkrimi i vendimit për përfshirjen e ndërtesës në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme do të bëhet sot (e martë) nga ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.
“Vendimi është përgatitur pas shqyrtimit të lëndës nga Komisioni së bashku me arsyetimin për vlerat që posedon ndërtesa. Vendimi të martën do të jetë në tavolinën e ministrit Çeku për nënshkrim dhe prej atij momenti është në fuqi”, ka thënë Burimi. Pas nënshkrimit, secili veprim ndaj ndërtesës pa miratim paraprak të institucioneve të trashëgimisë kulturore përbën shkelje ligjore. E rrënimi, sipas Ligjit për trashëgimi kulturore përbën vepër penale.
Për ish-ndërtesën e Gjykatës në Vushtrri, Kuvendi Komunal ka nxjerrë vendim për rrënim qysh në mars. Kurse MKRS-ja në maj kishte nisur vlerësimin nëse ajo i plotëson kushtet për ta marrë statusin e monumentit nën mbrojtje të përkohshme. Muajin e kaluar, në një mëngjes të së dielës, Komuna kishte nisur rrënimin e ndërtesës. Ishte dashur ndërhyrja e policisë për ta ndalur atë. Këtë veprim Komuna e kishte ndërmarrë, pavarësisht shkresave të MKRS-së dhe institucioneve të tjera të nivelit qendror. Por edhe vendimin e Gjykatës e ka kundërshtuar duke e cilësuar si absurd.
“Aprovohet si i bazuar propozimi i paditësit/propozuesit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, me seli në Prishtinë, të cilën e përfaqëson Avokatura shtetërore e Republikës së Kosovës”, shkruhet në pikën e parë të vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, i protokolluar më 31 maj. “Shtyhet ekzekutimi i vendimit të Kuvendit Komunal të Komunës së Vushtrrisë, nr.69/21 të datës 25.3.2021, derisa Gjykata të vendosë me vendim përfundimtar gjyqësor përkitazi me padinë e paditësit”, shkruhet në pikën numër dy të vendimit të nënshkruar nga gjyqtari Kreshnik Kaçiu.
Po ashtu aty sqarohet se Gjykata ka konstatuar se shtyrja e ekzekutimit të vendimit të Komunës deri në vendosjen e çështjes në mënyrë meritore nuk është në kundërshtim me interesin publik e as nuk sjell ndonjë dëm të madh ndaj palës kundërshtare.
“Shtyrja e ekzekutimit të vendimit të kundërshtuar do të shmangte pasojat e mundshme, që do të shkaktoheshin në të ardhmen...”, shkruhet në arsyetimin e vendimit të Gjykatës.
Por Komuna e Vushtrrisë nuk pajtohej me vendimin e Gjykatës.
“Është vendimi më absurd në historinë e gjyqësorit të Kosovës. Si mundet me e shty Gjykata zbatimin e një vendimi të Kuvendit të Komunës së Vushtrrisë pa pasur një vendim të MKRS-së, pra pa asnjë bazë ligjore, në bazë të cilit nen, të cilit ligj? Jam i sigurt që Apeli ka për ta anuluar këtë vendim absurd”, kishte thënë më 1 qershor kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, në një përgjigje për KOHËN.
Patrullat e Policisë së Kosovës vazhdojnë të qëndrojnë tek ish-ndërtesa e Gjykatës në Vushtrri. E ruajnë atë që Komuna të mos e rrënojë nëpërmjet një kompanie punëkryerëse të angazhuar për ta rrafshuar atë.
Pjesa qendrore e ndërtesës nga prapa ishte dëmtuar goxha mëngjesin e së dielës së 25 majit, kur kishte nisur rrënimi. Reagimi i opozitës, shoqërisë civile, MKRS-së dhe Policisë kishte bërë që puna të ndalej.
Ministria e Kulturës të martën e javës së kaluar i ishte drejtuar me një shkresë Policisë së Kosovës. Ka sqaruar se qysh në fillim të këtij muaji ka nisur me procesin e vlerësimit të ndërtesës.
“Kërkojmë nga Policia e Kosovës që të sigurojë hapësirën ku ndodhet ndërtesa deri në momentin kur institucioni kompetent të ketë vlerësuar rëndësinë e ndërtesës dhe rrjedhimisht të ketë përcaktuar statusin ligjor të ndërtesës”, shkruhet në letrën që i është drejtuar koloneles Afërdita Mikullovci.
Në anën tjetër, Komuna e Vushtrrisë të martën e kaluar kishte lëshuar një komunikatë për media. Ato që ka thënë Komuna janë renditur në 9 pika.
Sipas komunikatës, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Mitrovicë, në vizitën e bërë në terren “gojarisht ua ka kumtuar zyrtarëve komunalë që ky objekt nuk përbën trashëgimi kulturore”. “Zyrtarët komunalë janë të gatshëm të dëshmojnë kudo e në çdo kohë se ky ishte qëndrim zyrtar i QRTK-së në Mitrovicë, në vizitën në terren e mbi këtë vlerësim gojor...”, shkruhej në komunikatë. Nënvizohej se Komuna nuk ka dashur të humbë kohë që të njëjtin vlerësim ta presë edhe me shkrim. Aty tërthorazi bëhej e ditur se çështja do të përfundojë në gjykatë.
“Tani MKRS-ja me ndikim politik po tenton të ndërhyjë në vlerësimet e QRTK-së në Mitrovicë. Ne në proces gjyqësor do të kërkojmë deklaratë nën betim të QRKT-së në Mitrovicë, sepse ose atë ditë e kanë vënë në lajthitje institucionin e Komunës, ose tani po e ndryshojnë vendimin sipas instruksioneve politike”, shkruhej në komunikatë.
Por sipas zejtarëve në Bulevardin qendror të Vushtrrisë, prapa ndërtesës që Komuna synon ta rrënojë me arsyetimin që të krijojë hapësira për qytetarët posedon prona një prej biznesmenëve më të zotë në qytet. Zejtarët kanë thënë se Komuna tenton që me rrënim të objektit t’i krijohet biznesmenit qasje direkte në Bulevard.
Prej vitit 2015, dega e Gjykatës Themelore në Vushtrri nuk e shfrytëzon atë ndërtesë.
Komunën nuk e kishte zmbrapsur as vendimi i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, që përcakton se “akti i Komunës është në kundërshtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi”.
E në ditën e 6-të të majit, ekipi i Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Mitrovicë kishte vizituar ndërtesën e vitit 1964. Sipas raportit të përgatitur, objekti prezanton një arkitekturë të unifikuar të objekteve të ndërtuara për funksion si gjykatë në kohën e ish-Jugosllavisë.
“Ai është edhe një ndër objektet e pakta të qytetit të Vushtrrisë, i cili prezanton kohën moderne të arkitekturës në Kosovë”, shkruhet në raport. Aty sqarohet se gjendja e ndërtesës është e favorshme dhe ka krejt pak kërcënime të lokalizuara.