Kulturë

“Historia e shqiptarëve”, projekti që synon korrigjimin e tezave të vjetra

Descriptive Text

Me synimin për të bërë një paraqitje sa më sintetike, projekti i dy Akademive të Shkencave, në Tiranë e Prishtinë, “Histori e shqiptarëve” ka bërë të ditur emrat e autorëve që do të përpilojnë përmbajtjet e dy vëllimeve. Sipas tyre, kjo histori do të shkruhet në dritën e arritjeve më të fundit të historiografisë shqiptare e të huaj, duke rishikuar teza të vjetra e duke sjellë perspektiva të reja. Pjesë e këtij projekti do të jenë edhe historianët nga Kosova, Gjon Berisha e Sabit Syla

Me 15 historianë, arkeologë dhe studiues nga Shqipëria dhe Kosova, projekti për hartimin e “Historisë së shqiptarëve” ka shpalosur synimin për t’u njëmendësuar deri në vitin 2023. Me këto synime dhe me qëllim të bashkërendimit të punëve, të martën në mjediset e Akademisë së Shkencave në Tiranë është mbajtur takimi i radhës.

Gati dy dekada më parë, Akademia e Shkencave të Shqipërisë kishte nxjerrë në dritë edicionin më të përditësuar të “Historisë së Popullit Shqiptar” në dy vëllime.

Por projekti për një histori gjithëpërfshirëse të shqiptarëve është nisma e përbashkët për të cilën institucionet më të larta akademike në Shqipëri dhe Kosovë – ASH dhe ASHAK – janë pajtuar në një protokoll bashkëpunimi të nënshkruar në fillim të vitit të kaluar. Tok me të, dy akademitë synojnë të botojnë edhe “Enciklopedinë shqiptare” dhe “Fjalorin e madh të shqipes”.

Në fjalën e tij, kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi, ka vlerësuar vullnetin e akademikëve në të dyja anët e kufirit.

“Akademia tashmë ka marrë disa nisma të rëndësishme në fushën e albanologjisë”, ka thënë Gjinushi.

Xhufi: “Një histori për të gjitha trevat shqiptare”

Akademik Pëllumb Xhufi – i cili bashkë me arkeologun Neritan Ceka drejton projektin – ka thënë se nisma për “Historinë e shqiptarëve” do të jetë e veçantë për dy arsyeje.

“Ajo do të përfshijë të gjitha trevat shqiptare në kuptimin gjeografik, por edhe të gjitha periudhat historike”, ka thënë Xhufi.

Për kolegun tjetër akademik, Marenglen Verli, ky projekt është një vepër e madhe.

“Ai do ta çojë mendimin e shkencës shqiptare edhe përtej kufijve, në gjuhë të huaja”, ka thënë ai.

Akademiku dhe historiani Beqir Meta ka vlerësuar se ky projekt do të ketë karakter sintetizues të të gjitha arritjeve të historiografisë shqiptare dhe asaj të huaj.

“Do të bëhet një sintezë, por për çështje themelore do të shtrohen edhe pikëpamje alternative”, ka theksuar Meta.

“Shumë teza do të rishikohen”

Ndërkohë, pjesë e projektit është edhe arkeologu Luan Përzhita i cili ka shprehur besimin se gjetjet e reja arkeologjike do të plotësojnë me njohuri të reja vëllimet e kësaj historie.

“Shumë teza do të rishikohen nga gjetjet më të reja arkeologjike që vijnë nga materiali i grumbulluar”, ka thënë Përzhita teksa ka shtuar se me këto të dhëna do të jepet një tjetër njohje e historisë së ilirëve.

“Pjesë e këtyre rezultateve janë edhe kërkimet e fundit të kulturës arbërore jo vetëm në Koman, por edhe në vise të tjera si në Kosovë”, ka shtuar ai.

I pranishëm në këtë takim ishte edhe drejtori i institutit të historisë në Prishtinë “Ali Hadri”, Sabit Syla, i cili ka vlerësuar se ky projekt do ta çojë më tutje historiografinë shqiptare.

“Dihet fati që e ka përcjellë Kosovën gjatë viteve ‘90 dhe gjenocidin shtetëror të ushtruar nga Serbia. Të gjitha këto do të përfshihen, ashtu sikurse edhe lufta e UÇK-së”, ka thënë Syla për mediat në Tiranë.

Bëhet e ditur se 15 emrat që do të punojnë në hartimin e dy vëllimeve të “Historisë së shqiptarëve” janë: Pëllumb Xhufi, Skënder Muçaj, Neritan Ceka, Gjon Berisha, Sabit Syla, Saimir Shpuza, Luan Përzhita, Ferid Duka, Adem Bunguri, Myzafer Korkuti, Apollon Baçe, Paskal Milo, Beqir Meta, Sonila Boçi, Ledja Dushku dhe Marenglen Verli.

“Një përpjekje sintetike”

Për gjysmën e parë të shekullit të kaluar, shqiptarët ishin shërbyer vetëm me tekste joakademike për historinë e tyre. Naim Frashëri, Mehdi Frashëri e Tajar Zavalani ishin autorë të tyre. Por prej vitit 1959, vëllimi i parë i “Historisë së Shqipërisë”, i ndjekur nga i dyti më 1965, solli orvatjen e parë të kërkimit akademik për një histori të shqiptarëve nga lashtësia deri në modernitet.

Në takimin e fundit të realizuar në fillim të muajit të kaluar, grupi punues i Akademisë së Shkencave në Tiranë kishte diskutuar mbi paraqitjen dhe përmbajtjen e tekstit, përcaktimin e autorëve dhe temave të veçanta, si dhe qasjen metodologjike.

“Vepra do të ketë karakter gjithëpërfshirës dhe do të ketë jo vetëm karakter të historisë politike, por edhe histori ekonomike, histori arti, të kulturës dhe qytetërimit, histori të institucioneve, etj. Do të jetë një histori e cila do të ketë objekt rrugëtimin historik të popullit shqiptar që nga fillimet deri në kohët moderne”, ishte thënë asokohe në njoftimin e ASH-së.

Gjithnjë sipas grupit punues, ky botim do të jetë i pajisur me referenca shkencore dhe i bazuar në arritjet më të mira të historiografisë shqiptare dhe asaj të huaj.

Muaj më parë ASHAK-u kishte shprehur vendosmërinë e vet për mbështetjen e tri projekteve të përbashkëta me simotrën e vet në Shqipëri.

Në një prononcim për KOHËN, kreu i institucionit më të lartë akademik të Kosovës, Mehmet Kraja, kishte thënë se faza e parë e punës është menduar të jetë hartimi i platformave të përbashkëta për projektet në fjalë.

“ASHAK-u konsideron se me këto tri projekte bashkëpunimi ndërmjet dy akademive hyn në një fazë të re të nismave dhe ndërmarrjeve të përbashkëta, duke konkretizuar idenë e afrimit më të madh dhe të zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve ndërinstitucionale dhe ndërshtetërore në fushën e shkencës dhe të dijes”, kishte thënë ai.

Sipas Krajës, tri projektet e propozuara pasqyrojnë një fazë të re të arritjeve në fushën e shkencës shqiptare, “duke bërë depërtime të rëndësishme në fushën e dijes enciklopedike, leksikografike dhe në fushën e studimeve albanologjike”.

Nga Naim Frashëri deri te përpjekjet e para akademike

I bërë më 1899 në Sofje si tekst për nevojat e shkollave fillore, “Istori e Shqipërisë” me autor Naim Frashërin është përpjekja e parë për të ravijëzuar një histori të shqiptarëve.

Në këtë përmbledhje, e cila u ribotua më 1914, narracioni del si një përzierje mes të dhënave historike e atyre imagjinare, miteve e të vërtetave, historisë e folklorit. Më 1928, Mehdi Frashëri do të autoronte një tjetër histori që u botua si “Histori e Shqipërisë dhe shqiptarëve”. Po kështu edhe publicisti Tajar Zavalani më 1957 botoi në Londër pjesën e parë të “Histori e Shqipnis”, kurse të dytën më 1966.

Më 1959, Instituti i Historisë dhe Gjuhësisë pranë Universitetit Shtetëror të Tiranës botoi vëllimin e parë të “Historisë së Shqipërisë”, derisa gjashtë vjet më vonë nxori në dritë vëllimin e dytë.

Fryt i një pune kolektive, ku ishin të përfshirë Selim Islami, Muzafer Korkuti, Frano Prendi dhe Skender Anamali, vëllimi i parë përfshinte një vijë kronologjike prej periudhave më të hershme të shoqërisë njerëzore, historisë ilire e deri te mesjeta e hershme shqiptare. Disa vjet më vonë këto dy vëllime u botuan edhe në Kosovë nga Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore të KSA të Kosovës me titull “Historia e popullit shqiptar”.

Me disa ndryshime e plotësime, dy vëllimet e “Historisë së Shqipërisë” do të botoheshin edhe më 1977 dhe 1985 (në këtë vit u botua edhe në versionin frëngjisht si (“Les Illyriens: aperçu historique”).

Më 2002, Akademia në Tiranë nxori një botim të ri të “Historisë së Popullit Shqiptar” në dy vëllime, që përfshinte periudhat historike nga ilirët e deri te Rilindja Kombëtare. Historiania dhe arkeologia nga Prishtina, Edi Shukriu, kishte shkruar pjesën për mbretërinë dardane me njësitë për territorin, popullatën dhe kulturën e Dardanisë paraurbane. Më 2007 dhe 2009, përkatësisht me vëllimin e tretë dhe të katërt, ishin përfshirë edhe periudhat nga pavarësia deri në vitet ’90 të shekullit të kaluar.