Kulturë

Hajnat nxjerrin pitosin 1700-vjeçar që shteti e la në ara për 450 euro

Atë që s’e bëri shteti për gjashtë muaj, ia mësynë ta bëjnë hajnat. Pitosin antik, që institucionet shtetërore e lanë aty ky u gjet, e nxorën mbi sipërfaqe por nuk arritën ta merrnin me vete. Policia i zuri në flagrancë. Tash ky artefakt, që institucionet qendrore nuk e tërhoqën me arsyetimin se nuk mund t’i shfrytëzojnë 450 euro, ka zënë vend në Shtëpinë e Kulturës në Kamenicë e me rastin po merren institucionet e drejtësisë

As ndonjë alamet skenaristi nuk do t’i shkonte mendja që në një film të paraqiste situata ku shteti indirekt u krijon mundësi trafikantëve të artefakteve arkeologjike. Por një situatë e tillë nuk ka nevojë të paraqitet në film. Ka ndodhur në Kamenicë. Mosveprimi i institucioneve qendrore ka bërë që hajnat t’ia dalin të nxjerrin në sipërfaqe pitosin 1700-vjeçar nga arat e fshatit Bllatë të Kamenicës.

Qysh prej tetorit të vitit të kaluar banorët kishin lajmëruar Komunën se gjatë punimit të tokës patën hasur në një gjetje arkeologjike. Komuna njoftimin ia kishte përcjellë Institutit Arkeologjik të Kosovës dhe raportimi kishte arritur në Ministrinë e Kulturës. Kërkoheshin 450 euro. Pamundësia e Institutit Arkeologjik për ta shfrytëzuar buxhetin dhe mungesa e mjeteve transportuese kishin bërë që pitosi të lihet në arat kodrinore. Por në parcelën e mbjellë me grurë këtë muaj janë paraqitur persona të tjerë të interesuar për pitosin.

Në fund të javës së kaluar një grup personash kishin gërmuar përreth artefaktit. E kishin nxjerrë atë në pah. Kjo u kishte rënë në sy banorëve të asaj ane. Kishin njoftuar Policinë. E pas patrullimit policia kishte arritur të kapte personat që kishin shkuar për ta marrë artefaktin me një mjet të madh transportues. Në këtë rast shteti i është kthyer pitosit. Kësaj radhe për të mos e humbur atë krejtësisht. Prapë zyrtarët e Institutit Arkeologjik të Kosovës ishin lajmëruar. Të hënën ata kishin rrudhur krahët para zyrtarëve të Komunës së Kamenicës me arsyetimin se nuk mund të organizojnë bartje.

“Meqenëse IAK-ja nuk kishte mundësi ne u vumë shpejt në lëvizje me makinerinë e nevojshme dhe arritëm ta shpëtonim këtë objekt të rëndësishëm arkeologjik”, ka thënë të mërkurën Petrit Matoshi, zyrtar i komunal për trashëgimi kulturore. Derisa ka qëndruar pranë pitosit në Shtëpinë e Kulturës, ai ka thënë se synojnë që artefakti në të ardhmen të restaurohet dhe të ekspozohet për publikun.

“Në të ardhmen do të vijë konservuesi dhe do ta kthejë në gjendjen që ka qenë”, ka thënë Matoshi me entuziazëm.

Image

Zyrtarët policorë bashkë me ata të Komunës së Kamenicës dhe të Institutit Arkeologjik të Kosovës në vendngjarje


Fundi i artefaktit është shkëputur nga pjesa tjetër. Me një ndërhyrje jo aq të madhe copat mund të bëhen bashkë. Qëndron në një holl të jashtëm të Shtëpisë së Kulturës në Kamenicë. Matoshi e ka pastruar goxha mirë nga dheu. Rruga që çon nga fshati për te parcela ku është hasur në artefakt është e ngushtë. Me veturë të vogël zor e kalueshme. Në gropën e hapur nga gërmuesit ilegalë ende janë mjetet e punës, disa lopata të llojeve të ndryshme. Ata ishin kujdesur që artefakti të mbështillej edhe me një sfungjer. Por policia i kishte zënë në flagrancë.

Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, e di mirë historinë e gjetjes arkeologjike. Është i njoftuar me krejt ecurinë qysh prej tetorit të vitit të kaluar.

“Policia e Kosovës në flagrancë ka hasur në të dyshimtin që ka dashur ta merrte (pitosin v.j.) dhe ndaj tij është ngritur rast ‘përvetësim i objekteve me vlera arkeologjike’. Prokurori i shtetit ka urdhëruar që rasti të shkojë me procedurë të rregullt në gjykatë me kallëzim penal”, ka thënë ai për rastin e 12 prillit.

ImageTërheqja e pitosit nga ekipi i Komunës së Kamenicës

Me Ligjin për trashëgimi kulturore gërmimet arkeologjike mund të bëhen vetëm me leje të veçantë të institucionit kompetent. Sipas këtij ligji, “cilido person fizik apo juridik që dëmton trashëgiminë kulturore, pavarësisht nga marrëdhëniet e tyre pronësore me të dënohet ose sanksionohet nё bazë të Kodit Penal të Kosovës, Ligjit për Kundërvajtje…”.

Policët e Kamenicës kishin qëndruar në krye të arës mëngjesin e së hënës. Në bazë të punës që kishin bërë gërmuesit ilegalë dyshohej se do të shkonin për ta marrë artefaktin. Mjetit transportues i kishin prirë dy persona duke ecur në këmbë. Me të parë policinë ata ishin munduar të iknin. Por shkaku i rrugës së ngushtë dhe të papërshtatshme mjeti transportues nuk kishte munduar që të largohej lehtë. E po të hënën atje kishte mbërritur edhe një ekip i Institutit Arkeologjik të Kosovës i kryesuar nga drejtori Enver Rexha me arkeologun Milot Berisha dhe konservuesin Izri Gashi.

Treshja ia ka përcjellë Ministrisë së Kulturës një raport të shkruar nga arkeologu Berisha.

Aty sqarohet se më datë 12. 4. 2021, drejtori i Drejtorisë për Kulturë në Komunën e Kamenicës, Arianit Ibrahimi, lajmëroi IAK-në për një gërmim klandestin dhe tentim vjedhjen e pitosit që ishte evidentuar rastësisht gjatë punimeve bujqësore në tetor të vitit 2020.

“Ekipi konstatoi se ishte bërë një gërmim klandestin arkeologjik dhe u informua nga pjesëtarët e policisë se ishin kapur dy individë që kishin bërë gërmimin klandestin dhe që tentuan ta vidhnin këtë artefakt të vlefshëm arkeologjik”, shkruhet në raport. Sqarohet se ekipi i IAK-ut së bashku me Drejtorinë për Kulturë në Komunën e Kamenicës u dakorduan që ky pitos të zhvendosej në hapësirën ekspozuese të Shtëpisë së Kulturës në Kamenicë.

“Pitosi antik u evidentua nga IAK-u si gjetje rasti më datë 5.10.2020 dhe ishte zbuluar rastësisht gjatë korrjes së misrit për silazhe të bagëtive, ku gjatë lëvizjes me traktor është thyer kapaku i pitosit dhe u takon pitosave të mëdhenj me përmasa relative 1.3 X 1.2 metra dhe mendohet se mund të ketë mbajtur rreth 500 kilogramë drithë. Pjesa fundore e pitosit është e shkëputur edhe mund të restaurohet, ndërsa buzët e saj janë dëmtuar por mund të rikonstruktohen. Rekomandohen restaurimi, vlerësimi shkencor dhe dokumentimi-kartelizimi”, shkruhet në fund të raportit.

Image

Artefakti i kohës romake në hollin e jashtëm të Shtëpisë së Kulturës në Kamenicë


Krejt kjo histori do të shmangej sikur institucionet të funksiononin. Në tetor të vitit të kaluar Komuna e Kamenicës kishte bërë përpjekje të mëdha që artefakti të tërhiqet.

Komuna ia kishte ndarë IAK-së 450 eurot e nevojshme për tërheqjen e artefaktit, por IAK-ja thoshte se s’mund t’i shfrytëzonte. Ndryshe e paraqiste këtë situatë Ministria e Kulturës.

“Ne i kemi ndarë mjetet. Kemi kërkuar mundësi që t’ia japim IAK-ut. Ata na kanë thënë se nuk kanë si t’i pranojnë. Të them të drejtën, më duket situatë absurde”, kishte thënë drejtori i Drejtorisë së Kulturës në Kamenicë, Arianit Ibrahimi.

Qysh prej qershorit të vitit 2018 institucioneve vartëse të Ministrisë së Kulturës u janë bllokuar llogaritë në bankat komerciale pasi, sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, ishin të paautorizuara nga Thesari.

“Komuna do të na i bartë mjetet, por nuk munden. Unë u kam thënë se nuk mund t’i qesim në llogari private. Në anën tjetër, nuk kemi mjete ta fillojmë punën. MKRS-ja na e ka dhënë një veturë deri në muajin dhjetor. Me atë veturë të vogël nuk mund t’i dërgojmë as mjetet”, kishte drejtori i IAK-kut, Enver Rexha, duke shtuar se nuk kanë as makina.

Drejtoresha e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore, Vjollca Aliu, kishte thënë se mund të përfundohet tërheqja e pitosit edhe me buxhetin që MKRS-ja e ka të ndarë për IAK-un.

“Le ta sjellin listën me emra të ekipit dhe gjërat e nevojshme dhe e bëjmë ekzekutimin”, kishte thënë ajo. Sipas Aliut, MKRS-ja mund t’i paguante shpenzimet.

© KOHA Ditore