Kulturë

Bashkim kombëtar sa për fushatë

Bashkim kombëtar sa për fushatë
Dhe derisa në Kosovë pati një kakofoni fushate, Shqipëria zyrtare heshti. Sigurisht, Tirana e vetëdijshme se “bashkimet kombëtare” zihen zëshëm ngoje në Prishtinë kur liderët ndiejnë krizën e popullaritetit në kohë zgjedhjesh
 

Herë e propagandojnë si union të mundshëm ndërmjet Kosovës e Shqipërisë, e herë si bashkim kombëtar. Varësisht se kush flet e ku flet. Krejt kjo në mungesë të një plani a strategjie të shtjelluar hollësishëm prej pikënisjes e deri në pikësynim. Me kryerjen e fushatës, bashkë me sloganet e posterët kuqezi, pas dore lihen edhe zotimet zhurmëmëdha

Fushata zgjedhore gjithnjë zmadhon thirrjet për bashkim kombëtar. Gjithsecila parti bën hesapet e veta politike në emër të ëndrrës së shqiptarëve për një shtet të vetëm shqiptar.

Domosdoshmëria për mbështetje për ta kaluar pragun zgjedhor u bë edhe me thirrjen “Me çlirimtarët”, shoqëruar me flamurin kombëtar e atë të Kosovës krah për krah. Një parti tjetër pos zotimit për “Rimëkëmbje”, i mbajti tubimet me sloganin “Liria ka emër”, bashkë me emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në banerë e në maska në fushatë, ku politikanëve iu ranë maskat në raport me ligjin. E treta, thirrjen për bashkim kombëtar e ka kthyer në kërcënim të pretenduar kundrejt Perëndimit nëse Kosovës nuk i përshpejtohet integrimi në Bashkimin Evropian e në NATO, ku ende ka shtete që nuk ia njohin shtetësinë.