Kulturë

Kim Mehmeti: Anton Pashkun e harruan thuajse të gjithë

“Ishin vite të vështira kur njerëzit si Anton Pashku u lanë në rrugë dhe kur u përballa me një realitet të dhembshëm: që ne shqiptarët nuk heqim lehtë dorë nga këngëtaret e kafeneve, por shpejt i harrojmë ata që janë boshti i kulturës dhe artit”, thotë shkrimtari Kim Mehmeti 

Anton Pashku (8 janar 1938 – 31 tetor 1995) një nga figurat e rëndësishme të letërsisë shqipe në Kosovë, zë një vend të veçantë në librin i cili sapo ka dalë në librari nga botimet “Logos-A” , “Një dialog i pambaruar” me autore Alda Bardhylin. Në fokus të këtij dialogu është shkrimtari Kim Mehmeti, i cili shpalos një vështrim të rrugëtimit historik të shqiptarëve në Ballkan, duke nisur nga gjuha e kultura, personazhe që kanë bërë historinë tonë letrare. Një prej tyre është dhe Anton Pashku. Në këtë pjesë shkëputur prej librit, Mehmeti flet për takimin e miqësinë e tij me Pashkun, “çmimin” që ia dha ai...  

Le të flasim pak për miqësinë tuaj me Anton Pashkun, më keni treguar se rrugën drejt botimit jua ka hapur ai? 

Mehmeti: Për miqësitë është e vështirë të flasësh, për miqësitë nuk flitet publikisht nëse miku për të cilin rrëfeni nuk është në mesin e të gjallëve dhe nuk mund as t’i mohojë, as t’i pohojë ato që i thua. Pastaj të famshmëve të vdekur, të gjithë u bëhen miq e “dajallarë”, madje edhe duke trilluar afërsi që asnjëherë nuk ka ekzistuar. Te ne njeriu ka frikë të vdesë edhe shkaku se lëvdatat dhe mirënjohjet të vijnë edhe nga ata që sa ke qenë gjallë të kanë sharë e ofenduar. Shkaku i kësaj kurrë publikisht nuk kam folur për miqësitë e mia, përfshirë edhe atë me Anton Pashkun. Më në fund miqësitë e mirëfillta edhe duhet ruajtur vetëm për vetveten dhe shpalosja e plotë e tyre është si të nxjerrës para publikut edhe çdo gjë tënden familjare. Ne jemi individë publikë por, megjithatë, ka diçka që duhet të mbetet vetëm e jona dhe që nuk mund të jetë “pronë” publike. 
Është e vërtet se Anton Pashku është ai që më bëri të ndihem i sigurt në vetvete si shkrimtar. Madje ai më ka dhënë një “çmim” që asnjë tjetër nuk do të mund ta tejkalojë atë, e as të ma sjellë lumturinë që ma solli ai. Shkurt, asokohe unë shumë pak e njihja letërsinë shqiptare, ngaqë shkollohesha e lexoja thuajse vetëm në gjuhët sllave. Rastësisht, aty nga vitet tetëdhjetë, në Beograd më ra në duar një përmbledhje me tregime e Anton Pashkut dhe thjesht u mrekullova nga mjeshtëria e tij rrëfyese. Kjo më çoi tr gjurmoja më tej dhe t’ia lexoja të gjitha veprat. Dhe sa më shumë e njihja si shkrimtar, aq më shumë në mua ngjallej ëndrra ta takoja. 
U takova me të në vitin 1988, kur u ngjita në katin e nëntë të Pallatit të Shtypit, apo të Shtëpisë Botuese Gazetareske “Rilindja”, e ku ndodhej edhe zyra e tij. Kisha nën sqetull dorëshkrimin e përmbledhjes sime me tregime “Dënesje”, por brenda vetvetes bartja lumturinë që do njoftohesha me prozatorin që aq shumë e doja. Ishte fjalëpak, bartte në vete një qetësi të mahnitshme. Dhe përderisa i ndrojtur ia dorëzova dorëshkrimin, pyesja vetveten se si ishte e mundur që ai njeri aq fjalëkursyer dhe i qetë t’i ketë shkruar ato tregime dhe romanin “Oh”. 
Asokohe duhej të kalonin muaj e madje edhe vite që të botoje libër. Por për çudi, nuk kishin kaluar as tre muaj nga dorëzimi i dorëshkrimit kur Pashku më telefonoi që të shkoja të takoheshim. Dhe shkove në zyrën e tij i parapërgatitur që do më këshillojë t’i përpunoja tregimet në stilin “këtë mund ta bësh roman”, tjetrin mund ta shkurtosh. Por nuk ndodhi asgjë nga ajo që unë paragjykoja. Më shikonte i heshtur që më në fund të më thoshte se libri im do të botohej dhe se isha tregimtar i mirë. Unë mezi që përmbahesha nga e papritura. Posaçërisht asokohe kur posa i isha kthyer të shkruarit shqip. Të mos e zgjas: para se të ndaheshim ai doli të më përcillte deri te ashensori. Dhe si për dreq ashensori vonohej e vonohej, gjë që më bënte të ndihesha keq e që më çoi ta lusja të kthehej në zyrë e të mos humbiste kohë duke pritur me mua ashensorin. Dhe atëherë ai ma dha “çmimin” që një herë në jetë merret dhe që asnjë tjetër nuk mund ta tejkalojë për nga vlera: më shikoi e më tha – “Unë ty të kam pritur njëzet vite me radhë!” Gjatë tërë rrugës Prishtinë-Shkup më jehonin ato fjalë. Dhe asaj dite i thash vetes: je bërë shkrimtar! Në të vërtetë, që nga ajo ditë unë fillova t’i përkushtohem krijimtarisë letrare duke u kujdesur që kurrë të mos e tradhtoja besimin e atij që ishte dhe mbeti maja e tregimit shqiptar.    

Më pas miqësia juaj vazhdoi gjatë? Do të doja shumë të njihja dimensione të tjera njerëzore të Anton Pashkut?

Mehmeti: Unë jetoja në Shkup e ai në Prishtinë, kështu që ne nuk mund të kishim ndonjë miqësi të mbushur me takime të shpeshta. Madje  gjithmonë kam qenë i pakujdesshëm ndaj miqve, kështu që Anton Pashku ishte ai që shpesh më telefononte. Thjesht, si i ri mendoja se mjafton dikë ta duash sinqerisht dhe se nuk duhet ta bezdisësh me vizita apo takime të shpeshta.

“Anton Pashku krijoi në vitet kur duhej të jesh i ‘palexueshëm’ për censurën komuniste, e cila edhe kur krijuesi shqiptar përshkruante cilindo shpend, ajo shihte metaforën për shqiponjën dykrenore”

Ato vite në Kosovë ndodhnin ndryshime të mëdha. Milosheviqi i dëboi nga puna të gjithë shqiptarët e punësuar nëpër institucionet dhe sipërmarrjet shtetërore. Dhe ata që më së shumti e pësuan ishin intelektualët dhe krijuesit si Anton Pashku, të cilëve as mosha e as profesioni nuk ua mundësonte ta siguronin ekzistencën duke u marrë me ndonjë punë tjetër. Pra, ishin vite të vështira kur njerëzit si Anton Pashku u lanë në rrugë dhe kur u përballa me një realitet të dhembshëm: që ne shqiptarët nuk heqim lehtë dorë nga këngëtaret e kafeneve, por shpejt i harrojmë ata që janë boshti i kulturës dhe artit tonë. Kështu që Anton Pashkun e harruan thuajse të gjithë, por ai ishte zotëri në shpirt dhe nuk u takonte atyre që ta shtrijnë dorën as atëherë kur e kanë të rëndë mbijetesën.

“Krijimtaria e Anton Pashkut është themeli i modernitetit në letërsinë shqiptare”

Por, megjithatë, nuk dua të flas për këtë. As për ditët e Bajramit kur vinte te ne tezja Paulinë, e shoqja e Antonit dhe e cila e hante drekën festive me fëmijët e mi. Ajo që do të them do të jetë shumë e shkurtër dhe e qartë:  edhe sot, sa herë që më kujtohet Anton Pashku, më kaplon një dhembje për njeriun dhe njerëzit si ai që neve shqiptarëve këtej kufirit na e mbanin gjallë shpresën, që na e ushqenin shqiptarinë, më kujtohen ata pa të cilët nuk do të ekzistonte letërsia shqiptare e këtyre trojeve, por të cilët në ditët e tyre më të vështira, ne i harruam, apo shtireshim se nuk i shihnim, duke dashur kështu t’i ikim përballjes me mjerimin tonë, me të qenit të pakujdesshëm ndaj atyre që e shpërlanë tërë “borxhin” ndaj  popullit të vet e të cilët ne i harruam atëherë kur ata e kishin më të rëndë mbijetesën. Po, Anton Pashku i pati shumë të vështira vitet e fundit të jetës, por, megjithatë, të gjithë rreth vetvetes ai i shikonte nga lartësitë e njeriut që nuk gjunjëzohet dhe njeriut që popullit të vet ia kishte dhuruar më të bukurën e më të vlefshmen që kishte, pa kërkuar asgjë si kundërshpërblim.          

E kujton vdekjen e tij...?

Mehmeti: Asokohe nuk kishte telefona celularë dhe e di se ditën kur kishte dhënë shpirt, më kishin telefonuar disa herë me radhë në shtëpi, por unë ndodhesha jashtë Shkupit, kështu që u nisa për në Prishtinë të nesërmen. Dhe siç e thashë edhe paraprakisht, dhe siç ndodh rëndom në shoqëritë tona, menjëherë pas vdekjes së tij, filluan të gjithë të shkruanin për vlerat krijuese dhe njerëzore të Antonit. Madje edhe ata që mua më këshillonin të kem kujdes me kënd pi kafe në Prishtinë.
Sidoqoftë, unë vazhdova të ruaj miqësinë me familjarët e tij dhe si dikur Antonin, tani Kosova kishte harruar se ai kishte lënë pas vetes të shoqen me vajzën dhe djalin refugjat në Gjermani. Por Kosova ndoshta edhe guxonte ta harronte, por unë nuk e kisha atë të drejtë. Kështu që, disa nga ditët e fundit të jetës së saj, tezja Paulinë i kaloi në shtëpinë time, sepse në Kosovë edhe ambulancat, edhe spitalet ishin të mbyllura për të sëmurit shqiptarë. 
Sidoqoftë, mund të them se me kujdesin që tregoi ndaj meje, si dhe miqësinë që ma dhuroi, Anton Pashku i dha shumë shkrimtarit në mua, përfshirë edhe vetëbesimin, por për fat të keq, unë nuk munda të bëja për të aq sa ai e meritonte.       

Çfarë ndryshoi Anton Pashku në letërsinë shqipe?

Mehmeti: Anton Pashku krijoi në vitet kur duhej të jesh i “palexueshëm” për censurën komuniste, e cila edhe kur krijuesi shqiptar përshkruante cilindo shpend, ajo shihte metaforën për shqiponjën dykrenore. Andaj tregimet, romani “Oh”, dhe dramat e Anton Pashkut janë përshkrimi ndryshe i tragjedisë që në periudha të ndryshme e kishin jetuar dhe që e jetonin shqiptarët e ish-Jugosllavisë. Pastaj proza e Antonit është krejt e veçantë në letërsinë tonë dhe madje edhe e papërsëritshme. Dhe tregimet e Anton Pashkut janë ai kufi që e ndan prozën parapashkiane nga ajo pas saj. Madje ai edhe sot i kësaj dite, sa i përket tregimit të shkurtë, ka mbetur maje e paarritshme.  

“Nëse Konica e Fishta promovuan dhe kultivuan ‘mendimin modern shqip’, atëherë Anton Pashku solli rrëfimtarin ndryshe, jashtë rregullave që qartë përkufizonin si nis e si përfundon tregimi, romani e drama”

Proza e tij u quajt edhe “hermetike”, ndoshta vetëm pse ajo nuk i përfillte rregullat tradicionale të tregimit dhe romanit. Shkurt, proza e Anton Pashkut është gërshetim ndjesish, kohësh dhe dramash kolektive shqiptare, të cilat të lidhura në nyje, shpërfaqin thirrjet e së shkuarës drejtuar të ardhmes tonë kolektive.  
I tillë është edhe Atoni krijues në dramën “Gof”, ku njësoj si në tregimet dhe te romani “Oh”, nuk ke lidhje ngjarjesh dhe shtrat të qartë nga rrjedhin ndodhitë, por ke në të përplot ankth që e robëron individin dhe paralajmëron tragjeditë që do të ndodhin,  si dhe  shpërfaq degjenerimin kolektiv që do të pasojnë. Me çka shpaloset vizionarizmi i Anton Pashkut sa i përket të ardhmes së Kosovës, si dhe vuloset e vërteta e pamohueshme: krijimtaria e Anton Pashkut është themeli i modernitetit në letërsinë shqiptare.  . 
 
A mund të flasim për modernitet në letërsinë shqipe përpara Anton Pashkut?

Mehmeti: Nëse Konica e Fishta promovuan dhe kultivuan “mendimin modern shqip”, atëherë Anton Pashku solli rrëfimtarin ndryshe, jashtë rregullave që qartë përkufizonin si nis e si përfundon tregimi, romani e drama. T’i thyesh në krijimtarinë shqiptare shabllonet nëpërmjet të cilëve përcaktohet dhe vlerësohet vepra letrare, dikur ka qenë më e vështirë se sot, andaj edhe vetë shmangja e standardeve të vendosura krijuese, e bëjnë Anton Pashkun të veçantë. Unë nuk njoh para tij ndonjë  krijues shqiptar që aq shumë ka qenë vetvetja, sa të mos mundësh ta krahasosh thuajse me asnjë tjetër të mëparshëm. Kështu që edhe them se moderniteti në letërsinë shqipe fillon me Anton Pashkun.
 
Cili është roli i SHB “Rilindja” i asaj kohe në krijimin e elitave kulturore?

Mehmeti: Shtëpia Botuese dhe Gazetareske “Rilindja” ishe shtylla bartëse e kalasë së krijimtarisë dhe fjalës së shkruan në gjuhën shqipe në trojet e ish-Jugosllavisë. Pastaj ajo ishte edhe ndërlidhja e letërsisë shqiptare si tërësi e pandashme, edhe atë duke filluar që nga rilindja e deri në vitet sa atë nuk e rrënoi  regjimi i Milosheviqit. Pastaj “Rilindja” ishte si rojtare e kopshtit letrar e gazetaresk, rojtare që kujdeset për ne të rinjtë që pretendonim se duhet të dëgjohet zëri ynë krijues. Pa “Rilindjen” letërsia shqiptare do të ishte jo e plotë.

Elitat kulturore dhe intelektuale shqiptare datojnë që nga periudha e Rilindjes sonë kombëtare. Por sa na përket neve shqiptarëve të ish-Jugosllavisë, ato u rritën në numër dhe u profilizuan gjatë viteve sa Kosova merrte frymë më lirshëm, apo gjatë viteve 1974 - 1981

Pastaj nuk duhet harruar: në kohën kur Tirana kishte listën edhe të rilindësve që nuk duhej botuar, Prishtina ishte ajo që i botonte kompletet e tyre. Shkurt e shqip: krahas Universitetit të atëhershëm të Prishtinës, “Rilindja” është institucioni më i rëndësishëm që kujdesej për boshtin kurrizor të shqiptarisë nga kjo anë e kufirit, e veçanërisht për ne shqiptarët e Maqedonisë,  për të cilët “Rilindja”  bënte çmos të mos ndieheshim të harruar e as të mos e jetonim dhembshëm vetminë. Pastaj “Rilindja” ishte ajo që pagabueshëm i jepte “certifikatat” e vlerave tona, pa të ne do t’i ngjanim kopshtit pa rojtar. Edhe sot e kësaj dite, vlerat më të mëdha që kemi ne shqiptarët e Maqedonisë janë “prodhim” i “Rilindjes” dhe të Universitetit të Prishtinës, të këtyre institucioneve që qysh gjatë socializmit ia dolën të na faktorizojnë edhe neve shqiptarëve të Maqedonisë, madje edhe duke na përkrahur edhe më shumë seç e meritonim.  

Kur sipas jush datojnë elita kulturore apo intelektuale mes shqiptarëve?

Mehmeti: Elitat kulturore dhe intelektuale shqiptare datojnë që nga periudha e Rilindjes sonë kombëtare. Por sa na përket neve shqiptarëve të ish-Jugosllavisë, ato u rritën në numër dhe u profilizuan gjatë viteve sa Kosova merrte frymë më lirshëm, apo gjatë viteve 1974 - 1981. Asokohe u bënë hapa gjigantë në shkollimin e shqiptarëve të këtushëm, si dhe në afirmimin e vlerave kulturore shqiptare. Dhe shumë emra shqiptarë të artit dhe të shkencës u bënë të njohur edhe në rrafshin mbarjugosllav. Gjatë kësaj periudhe edhe u kompletuan elitat kulturore dhe intelektuale, të cilave më vonë do t’u binte në hise  t’i prinin tërë asaj që pasoi gjatë zhbërjes së ish-Jugosllavisë. Dhe pa këto elita shqiptarët e këtushëm vështirë do t’ia dinin të arrinin këtë që kanë sot.  

Shkëputur nga libri “Një dialog i pambaruar”. Botohet me lejen e autore

Image