Kulturë

“250°C” me veprat në dialog gjeneratash

Të thjeshta në pamje e lehtë të zbërthyeshme duken veprat e artistit boshnjako-shqiptar. Tejet kuptimplote janë mesazhet

Të thjeshta në pamje e lehtë të zbërthyeshme duken veprat e artistit boshnjako-shqiptar. Tejet kuptimplote janë mesazhet

Artisti Kemil Bekteshi me shtatë vepra reflekton mbi punën, migrimin dhe vlerësimin e punës nga shoqëria. Aty janë edhe stereotipat për diasporën shqiptare në botë. Shenjat e ushqimit janë gjurmët e punës së tij që i ngrit në piedestal me prekje artistike. Narrativa e tij e ka hapur “Pop-up art week” në “Galeria 17”. “Veprat janë quajtur ‘250°C’ , që është shkalla e nxehtësisë në të cilën piqet buka. Çfarë mund të shohim janë enët të cilat përdor babai im. Babai im është furrtar dhe unë po prezantoj punën e paparë të tij duke mos u fokusuar në produktin final, por duke u fokusuar saktësisht se çfarë ndodh prapa hapësirës së punës dhe çfarë në atë që është e padukshme te blerësit”, ka thënë artisti Kemil Bekteshi

“250°C” si titull ekspozite vjen si enigmë e asaj çfarë veprat shpalosin. Natyrisht, ka lidhje me nxehtësinë, por jo me çështje klimatike. Artisti Kemil Bekteshi me shtatë vepra reflekton mbi punën, migrimin dhe vlerësimin e punës nga shoqëria. Aty janë edhe stereotipat për diasporën shqiptare në botë. Shenjat e ushqimit janë gjurmët e punës së tij që i ngre në piedestal me prekje artistike. Narrativa e tij e ka hapur “Pop-up art week” në “Galeria 17”. 

Të thjeshta në pamje e lehtë të zbërthyeshme duken veprat e artistit boshnjako-shqiptar. Tejet kuptimplote janë mesazhet. Enët prej metali që babai i tij përdor për të pjekur bukën mbajnë yndyrë e shenja të mbetura gjatë përdorimit. Por jo veç kaq. Gjithçka është rreth punës së palodhur për shumë vjet për familjen. Perceptohet si një ironi me shoqërinë për vlerësimin e punës dhe segmentimin e asaj se çfarë është e denjë për shoqërinë të njihet si punë.

Prej veprave të varura në mur sikur kornizat që mbajnë pikturat, dy mbahen pezull nga zinxhirët e instaluar në murin e tavanin e galerisë në kryeqytet. Duket se reprezentojnë burimin e identitetit të tyre. Ato ndërpriten me atë që në veprën e Bekteshit reprezenton punën, profesionin. Por ato vazhdojnë edhe pas shkëputjes duke u zgjatuar prapë nëpërmjet zinxhirëve. Shtrirja e tyre në tokë në forma të ç’rregullta shfaq jo vetëm transformimin, por edhe atë që mund të ndryshohet. Njerëzit lirshëm mund të kalojnë në to, t’i shkelin a t’u ndryshojnë formë. 

Në këto dy vepra mund të shohësh, në një formë, dy pjesët e enëve si dy anët e medaljes. Tek ato rrëfimi ngjan të jetë më i kompletuar, trajtojnë rrënjët e familjes dhe prejardhjes së tij. 

Autori Kemil Bekteshi ka thënë se ekspozita shfaq prapaskenat e punës së babait të tij. 

“Veprat janë quajtur ‘250°C’ , që është shkalla e nxehtësisë në të cilën piqet buka. Çfarë mund të shohim janë enët të cilat përdor babai im. Babai im është furrtar dhe unë po prezantoj punën e paparë të tij, duke mos u fokusuar në produktin final, por duke u fokusuar saktësisht se çfarë ndodh prapa hapësirës së punës dhe çfarë në atë që është e padukshme te blerësit”, ka thënë Bekteshi. 

Edhe në veprat paraprake, kjo është tema kryesore në praktikën artistike të tij. Kemil Bekteshi e quan punën e tij artistike si dialog midis punës së tij dhe të babait.

“Kjo temë është shumë e rëndësishme për mua si punë e zakonshme dhe ajo shtylla kurrizore e praktikës sime është shumë e lidhur me Kosovën dhe identitetin kosovar. Janë stereotipat për diasporën kosovare, sidomos për burrat furrtarë që kanë biznese në këtë fushë. Babai im është në këtë kategori, kështu që unë kam bashkëpunuar shumë me të dhe e gjithë kjo punë është në një formë një dialog midis praktikës së tij dhe praktikës sime”, ka thënë ai. 

Artisti Bekteshi e ngre punën e palodhur të babait të tij në piedestal duke i veshur njollat e yndyrës e brumit me fleta ari.

“Supozoj se kjo yndyrë e tharë dhe ngjyra e arit nuk shkojnë bashkë, por çfarë unë dua të shfaq janë gjurmët e orëve të gjata të punës fizike në një punë të vështirë. Në vend të pastrimit të tyre për t’i bërë ato perfekte dhe të prezantueshme, kam vendosur të lë të gjitha njollat dhe yndyrën duke i mbuluar me fleta ari për të shfaqur rëndësinë e punës që nuk shihet”, është shprehur ai, derisa ka thënë se fletat e arit në historinë e artit përfaqësojnë veprat e shenjta. 
“Historia e fletave të arit në historinë e artit janë përdorur më shumë në tema shumë të rëndësishme, religjioze e sakrale. I përdor ato për diçka shumë të shenjtë, të rëndësishme. I shoh ato si ikona që më kujtojnë në ikonat që mund të lexohen në këtë kuptim për punën që bëhet për të ofruar më të mirën te familja”, ka thënë më tej artisti Kemil Bekteshi, i cili ka ardhur në Kosovë dhjetë vjet pas ekspozitës së tij të parë në Prishtinë. 

I lindur në vitin 1997 në Beograd ai është një artist vizual. Në praktikën e tij artistike, shpesh merret me tema që lidhen me identitetin, gjeopolitikën dhe kombësinë. Praktika e tij artistike përdor një sërë mediash, duke përfshirë performanca, vepra në hapësira publike, objekte dhe instalime, shpesh specifike për vendndodhjen dhe kohën.

Sihana Klisurica, menaxhere për komunikim në fondacionin “Shtatëmbëdhjetë” që e organizon “Pop-up art week”, e ka konsideruar interesante temën e Bekteshit.  

“’Pop-up art week’ hapet me ekspozitën e Kemil Bekteshit, një artist shqiptaro-boshnjak, i cili me sa kam njohuri, ekspozon për herë të parë në Prishtinë. Një artist i ri, artist premtues, me një temë goxha interesante që ndjek rrënjët e familjes dhe prejardhjes së tij”, ka thënë Klisurica. 

Ekspozita “250°C” ka qëndruar e hapur për rreth tri orë dhe me të është hapur “Pop-up art week”. 

Klisurica ka thënë se ideja e krijimit të ngjarjes ka ardhur që të jepet hapësira për artistë që duan të shihet puna e tyre. 

“Kemi menduar se si do të ishte një mënyrë për t’i hapur dyer e galerisë edhe për persona të tjerë krijues, artistë dhe kolektive që duan ta shfrytëzojnë hapësirën e galerisë për t’i ekspozuar punët e tyre. Kemi ardhur me idenë e krijimit të ‘Pop-up art week’ me idenë që të hapen dyert e galerisë, të bëhet një thirrje publike dhe të krijohet një juri e jashtme e cila pastaj përzgjedh projektet që aplikojnë”, ka thënë Klisurica. 

Njëditore janë të gjitha ekspozitat që do të shfaqen. Në radhë janë edhe ekspozitat “Man of the castle” nga Blerta Kambo më 4 dhjetor, “A silent scream is a yawn” nga Manushaqe Ibrahimi më datë 6 dhe “50 milje në veri të aeroportit të Tiranës” nga Ornela Alia më 9 dhjetor.  

Sihana Klisurica vlerëson se veçanti e secilës janë mediumet e ndryshme dhe format e veçanta të prezantimit të këtyre ekspozitave. 

“Secila prej tyre ka tematikën e vet që e trajtojnë, veçanti e tyre është se secila vjen në mediume të ndryshme dhe në forma të veçanta të prezantimit. Përgjatë kësaj jave. ‘Galeria 17’ çdo ditë shndërrohet në një hapësirë tjetër krijuese dhe ekspozuese ku artistët përveçse do të kenë rastin të ekspozojnë punët e tyre, në të njëjtën kohë edhe do të takohen mes vete me komunitetin këtu, të diskutojnë dhe pse jo edhe të krijojnë bashkëpunime të reja”, ka thënë ajo. 

Projektet artistike janë përzgjedhur nga artistja italiane Sofia Braga, artistja Doruntina Kastrati dhe kuratorja Fitore Isufi-Shukriu. 

“Pop-up art week” i shërben rrjetëzimit dhe dialogut ndërmjet perspektivave dhe programeve midis “Galerisë 17” dhe artistëve e kolektiveve artistike.