Kulturë

“Rikthimi” sjell rrëfimet ekskluzive të atyre që fituan betejën me varshmërinë

Dokumentari “Rikthimi: Një tregim për Bashkësinë Cenacolo” do të vijë në transmetim premierë televizive në Kohavision.

Të shtunën nga ora 20:50 do mund të ndiqni dokumentarin i cili nis me një poezi që e ka shkruar Ganimete Pashoja – Myftiu. Përmes saj ajo shfaq gëzimin për djalin e saj, Fat Myftiu, që ka arritur ta kalojë varshmërinë ndaj teknologjisë.

Dokumentari njëorësh në regji të Leart Ramës është një udhëtim emocional. Shikuesin e mban të mbërthyer për të kuptuar fillimisht varshmërinë e personazheve, pastaj çfarë i ka shtyrë ata drejt saj dhe si ia kanë dalë që ta lënë pas këtë kapitull.

Personazhe të filmit janë edhe Laura Hajdini dhe vajza e saj Dina Hajdini, Bujar Lahu dhe vajza e tij Gresë Lahu, Nol Sahatçiu dhe Berat Safçiu. “Rikthimi...” përmes rrëfimeve të personazheve tregon edhe për bashkësinë “Cenacolo” në Kroaci e që ofron ndihmë për të lënë pas varshmëritë.

Ajo është themeluar në vitin 1983 dhe personazhet Fat Myftiu, Dina Hajdini, Gresë Lahu, Nol Sahatçiu dhe Berat Safçiu kanë qenë pjesë e saj. Gresë Lahu në dokumentar tregon se ka varshmëri ndaj drogës, me të cilën kishte rënë në kontakt kur ishte 15 vjeçe.

“Ato ndjenja kanë qenë mungesa e dashurisë. Nuk kam ditur se si me jep apo se si me lyp dashuri. Kam filluar me e lyp në mënyra të gabuara atë dashurinë që më ka munguar. Fillimisht dashurinë e babait tim. E kam lyp dashurinë në shoqëri të gabuar. Më ka munguar që të flas me dikë edhe ia kam nis me u shit si dikush që nuk jam, t’u u shit e fortë, a këndej tu u ndie e zbraztë”, rrëfen ajo në dokumentar.

Babai i saj, Bujar Lahu, këtë eksperiencë e quan një histori të hidhur. Ka treguar se është pjesë e tyre dhe se u shërben si mësim. Ka treguar edhe pjesët e tij të fajit karshi gjendjes në të cilën kishte rënë vajza e tij. Filmi dokumentar “Rikthimi” shpalos edhe rrëfime të tjera si këto, por të cilat nuk patën një fund tragjik.