Kulturë

Krijimtaria e Adem Gashit, në arabisht

Gazeta panarabe “al-Arabi al-Jadid” me redaksinë qendrore në Londër, që ka disa botime për botën arabofone, më 8 korrik të këtij viti në Shtojcën për kulturë ia kushtoi poetit kosovar Adem Gashi një hapësirë të madhe, gati një faqe, duke e prezantuar me shënime biografike e tri vjersha të përkthyera në arabisht (“Zbulimi i Atlandidës”, “Na ishte një qytet” dhe “Takim me të burgosurit”) në përkthim të Muhamed Mufakut.

Me këtë rast, poeti Adem Gashi (1953) prezantohet si përfaqësues i gjeneratës që përjetoi kthesa të mëdha, që u lind e u arsimua në Jugosllavinë titiste, e duke vuajtur dënimin me burg në kohën e kriminelit të luftës Slobodan Milosheviq e deri në çlirimin e pavarësinë së Kosovës, me gëzime e dëshpërime të asaj gjenerate, e që reflektohen qartë në poezinë e tij, transmeton KOHA.

Më tej prezantohen veprat e tij në poezi (15), prej “Pa ombrellë”(1982) që tërhoqi vëmendjen e kritikëve, e deri në përmbledhjen e fundit “Vizatimi i vetmisë në letrën e parë” (2017), si dhe në përmbledhje me tregime (3) e të tjera, për çka mori shumë shpërblime.

Po ashtu, veçohet kontributi i tij në jetën kulturore si drejtor i Radiotelevizionit të Kosovës më 1999, e kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës 2001-2003, e të tjera.