Ani pse kohë pandemie, “The Van” i Erenik Beqirit ka vazhduar rrugëtimin nëpër festivale. Mbrëmjen e së martës u dha premiera online. U shfaq në “YouTube”, në kuadër të edicionit të parë të festivalit online “We Are One”. Historia e Benit (Phénix Brossard), që i duhet të ndeshet me njerëz brenda një furgoni në mënyrë që të ketë një mundësi për t’u larguar nga Shqipëria, e plotëson mozaikun e më shumë se 100 filmave që janë bërë pjesë e këtij edicioni që u organizua, pasi që festivale të shumta të filmit u shtynë ose u anuluan për shkak të pandemisë. Sipas regjisorit dhe skenaristit të filmit Erenik Beqiri, festivali dhjetëditësh, që nisi më 29 maj, është i veçantë për faktin se ka bërë bashkë festivalet më të mëdha në botë. Festivali global i filmit “We Are One” që zgjat deri më 7 qershor, për këtë edicion u bë dritare e 21 festivaleve më të mëdha, në mesin e të cilëve ai i Berlinit, Cannes, Sundance, Toronto, Tribeca dhe i Venecias. Sipas Beqirit, shfaqja e filmave online mundëson që të njëjtët të shihen nga një audiencë me e madhe.
“Në fund të ditës filmat realizohen që të ndahen me të tjerët dhe jo për t’u mbajtur të mbyllur”, ka thënë Beqiri për KOHËN.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“The Van”, i cili në maj të vitit të kaluar u bë filmi i parë shqiptar në garë për “Palmën e Artë” në Cannes, u shfaq në orën 20:30 në kanalin e Festivalit në (YouTube.com/WeAreOne) dhe pas shfaqjes është larguar prej aty. Kështu po veprohet me të gjithë filmat e bisedat që po shfaqen. Edicioni i parë ka sjellë 13 premiera botërore e 31 premiera online, përfshirë edhe atë të “The Van”. Është një diversitet temash, regjisorësh e stilesh, pasi që programi është kuruar në bashkëpunim me festivalet pjesëmarrëse. Filmi i Beqirit është në mesin e filmave të dërguar nga Festivali i Filmit në Cannes, ku edhe pati premierën botërore.
Regjisori Erenik Beqiri nëpërmjet “The Van” (Furgoni) sjell Shqipërinë e viteve ’90, kur të gjithë ia mësyjnë të ikin. Me aktorin francez Phénix Brossard dhe aktorët nga Kosova, Arben Bajraktaraj e Afrim Muçaj, në rolet kryesore, shpalos rrëfimin e një djali rreth të 20-ve i cili ka si qëllim të emigrojë jashtë vendit.
“Furgoni ndalet, dyert hapen dhe Beni del jashtë i gjallë. Edhe disa gara në rrahje dhe ai do të mund të largohet nga Shqipëria. Ende e mban shpresa që babai i tij do të largohet me të”, është përshkrimi i filmit 15- minutësh. “The Van” është një prodhim shqiptaro-francez, i realizuar me fonde franceze.
Regjisori Beqiri, i cili ka diplomuar për regji në Akademinë e Arteve në Tiranë, ka thënë se ndihet i nderuar që filmi i tij është në mesin e filmave të dërguar nga Festivali i Filmit në Cannes, për “We Are One”.
“Deri më tani festivali ka tërhequr goxha vëmendjen e shikuesve. Ky festival thyen barrierat e zakonshme të festivaleve, duke e shfaqur filmin falas për gjithë botën. Për mua është e rëndësishme që filmi të jetë i arritshëm edhe për ata që nuk kanë pasur mundësinë ta shikojnë”, ka thënë ai. Sipas Beqirit, pandemia dhe situata e krijuar për shkak të saj kanë kapur njerëzit të papërgatitur dhe kanë treguar limitet dhe fuqitë e tyre.