Kulturë

Zgjatja e “izolimit” thellon krizën e teatrove dhe kinemave

Zgjatja e “izolimit” thellon krizën e teatrove dhe kinemave
Teatri Kombëtar i Kosovës ishte bërë gati që të hënën t’i rihapë dyert për shikues reprizë. Në vend të kësaj, aktorët të ndarë në grupe të vogla kanë vazhduar provat për “Zgjimin e pranverës” me shpresë që premiera e saj të jepet më 12 qershor

Përgatitjet që të hapin dyert për publikun në ditën e parë të qershorit u kanë shkuar huq disa teatrove dhe kinemave. Përderisa teatrot duhet të mbajnë prova për të qenë gati pas lehtësimit të masave në raport me pandeminë, kinematë duhet të furnizohen me filma. Mbajtja mbyllur e tyre është konsideruar edhe si një goditje për skenën kulturore. Fakti që Ministria e Shëndetësisë ka lejuar hapjen e kopshteve, xhamive, kishave e qendrave tregtare e jo të teatrove e kinemave është i pakuptimtë për udhëheqësit e institucioneve kulturore. Prej 12 marsit “izolimi” përfshiu të gjitha institucionet kulturore. Galeritë e muzetë i rihapën me fazën e dytë të lehtësimit, prej 18 majit.

Për udhëheqës teatrosh e menaxherë kinemash rreziku është shumë më i madh në qendra tregtare e objekte fetare. Kanë thënë se në kinema e teatro mund të menaxhohen më lehtë rekomandimet për mbajtje të distancës. Teatri Kombëtar i Kosovës ishte përgatitur që nga sot (e martë) të nisë me repriza. Kurse në ditën e 12-të të këtij muaji ta japë premierën e parë për sivjet.