Filmi “The Cuban” i cili ditë më parë mbylli me sukses “Los Angeles Pan African Film Festival”, më 21 maj hapi po me të njëjtin sukses “Canadian Film Fest”.
Ana Golja, artistja tashmë tepër e njohur dhe e dashur mes nesh, e lindur në Kanada me origjinë Shqiptare, shkëlqeu në rolin e Minas përkrah fituesit të çmimit Oscar, Louis Gosset Jr. dhe aktorëve të tjerë të mirënjohur si Shohreh Aghdashloo, Giacomo Gianniotti dhe Lauren Holly.
{gallery}
Për ata lexues që ndoshta ende nuk kanë hasur të prezantohen me emrin dhe punën e saj, Ana ka filluar karrierën që në moshën 5-vjeçare, dhe midis roleve të shumta ajo njihet më tepër për rolin e Zoe-it te “Degrassi”, Lea-s në filmin “The Fanatic” përkrah John Travoltës dhe roleve të tjerë kryesorë në filmat “Full Out”, “Crazy For Boys” etj. Çfarë e bën Anën të veçantë midis bukurisë, thjeshtësisë, dhe fisnikërisë që ajo posedon, është dhe puna e palodhur për të qenë një artiste shumë dimensionale.
Ana, përveçse luan piano, kitarë, klarinetë, është gjithashtu një balerinë e mirëfilltë dhe këngëtare, e cila ka publikuar albumin “Epilog” në 2018 dhe “Single” “Bailamos” në 2019.
Ana Golja, edhe pse e lindur në Kanada, impresionoi publikun shqiptar me shqipen, lirshmërinë dhe performancën e saj përbri aktorit Viktor Zhusti në prezantimin e Festivalit të 57-të të Këngës në Janar të 2019-ës.
Rezymesë së saj të larmishme, tashmë i shtohet dhe titulli ‘producente’ me realizimin e filmit “The Cuban”. Film i cili pati mjaft sukses dhe ka fituar tashmë 2 çmime: Best Narrative Feature and Best Cinematography.
Një dramë e cila tregon për fuqitë e muzikës dhe aftësinë e saj për të kapërcyer jo vetëm sëmundjen por dhe moshën, fenë, kulturën dhe pothuajse çdo konstruksion tjetër që mund të imagjinoni!
Personazhi i Ana Goljas, Mina është një studente e infermierisë, e cila është e punësuar në një shtëpi të moshuarish. Ajo me dashurinë dhe pasionin për profesionin e saj, brenda një kohe të shkurtër, nëpërmjet muzikës, ushqimit dhe fotove krijon një qendër të gjallë kujtese për Z. Garcia, i cili ka qenë një kitarist i njohur po që tashmë ka humbur kujtesën. Ajo i ringjall kujtimet e së kaluarës së tij përmes xhazit Kuban.
Në këmbim, ai i rikthen asaj pasionin për muzikën.
Ana me talentin e saj, na bën të buzëqeshim aq sa dhe të qajmë. Në një nga intervistat Ana është shprehur se sa e lidhur është nga ana emocionale me historinë e filmit.
Një nga inspirimet për fillimin e këtij filmi, ka qenë stërgjyshja, e cila vuan nga e njëjta sëmundje. Kjo lidhje emocionale shihej qartë në film, nëpërmjet lotëve bindës të Anës. Filmi është i pasur me aftësi aktrimi dhe detaje vëzhguese si dhe përqendrim emocional.
Një kritik shprehet “Aspekti më tërheqës i filmit për mua ishte vëzhgimi me kujdes i personazheve të Gosset, Gianniotti dhe Golja – duke u munduar të kuptoj se kush është mësuesi dhe kush është studenti. Në çdo skenë të caktuar më mbajti të ngjitur në ekran! Kthimi i roleve ishte me të vërtetë një mrekulli dhe kënaqësi!” Ai e mbyll duke thënë “Kini kujdes nga ky film. Mund të vjedh më shumë se vetëm zemrën tuaj”.
Tepër krenarë dhe të lumtur për të, ne i urojmë Anës suksese të mëtejshme/Gazeta Shqiptare.