Kulturë

Biografia e divës, Nexhmije Pagarusha

Sot, gjatë orëve të para të mëngjesit në moshën 86 vjeçare ka vdekur diva e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha.

Ende nuk ka informacione për kohën se kur do të varroset, e as për ceremonitë e varrimit të kësaj dive, transmeton Koha.net.

Në vazhdim po japim biografinë e saj sipas Fjalorit Enciklopedik të ASHAK-ut.

Nexhmije Pagarusha shkollën fillore e kreu në Malishevë, më vonë u vendos në Prishtinë.

Shkollimin e mesëm muzikor, solokëndimin, e filloi në Beograd, ku qëndroi për tri vjet, por për shkak të rrethanave jo të volitshme e ndërpreu.

Pagarusha filloi të këndoi që në fëmijëri, por karrierën e vërtetë e nisi më 1948, si këngëtare e Radio Prishtinës.

Ishte dhe mbetet primadonë e muzikë popullore dhe asaj zbavitëse.

Ka kënduar në manifrestime dhe në festivale në Kosovës dhe të gjitha viset e tjera, duke arritur popullaritet të madh për potencialin e saj vokal në ish-Jugosllavi.

Në bullgari, turqi, dhe disa shtete evropiane, si dhe të Lindjes së Afërt, në Amerikë e tjerë.

Nexhmije Pagarusha posedon një ambitus të gjerë interpretues me elemente kolorature pa vibrime orientale.

Këndoi mbi 40 vjet pa ndërprerë dhe jo gjithnjë në kushte të përshtatshme për një soliste si ajo.

Repertori i saj interpretues është tejet i gjerë dhe i larmishëm.

Veçohen këngët “Ani mori nuse”, “Kur më del në derë”, “Metelikun ta kam fal”, “Po të pres te dega e fikut”, “Mora testinë”, “Kënga e Rexhës” etj.

Me saktësi e bukuri i këndoi këngët e përpunuara dhe të kompozuara nga bashkëshorti i saj, kompozitori Rexho Mulliqi, ndër të cilat: “Lulëzoi fusha, lulëzoi mali”, “Zambaku i bardhë”, “Një lule që m’ka çelë tash”, si dhe ato origjinale:

“Baresha”, e cilësuar si xhevahir kolorature që ruan elemente folklorik të këngës.

Nexhmije Pagarusha ka ushtruar edhe aktivitet prej aktoreje, duke u paraqitur në disa vepra skenike e filma “Tre vetë kapërcejnë malin”, “E kafshoja terrin”, “Fluturimi i Micakut”.

Vlerësimi i lartë dhe dashuria e madhe që kishin kritikët dhe publiku ndaj saj, bëri që ajo të gëzonte titullin “Bilbili i Kosovës”.

Nga viti 1984 vendos të përmbyllë karrierën prej këngëtareje, dhe këtë ngjarje e shënoi me një koncerte të madh në Sarajevë.

Ishte këshilltare në produksionin muzikor të Radio Prishtinës.

Më 2012, u dekorua me “Nderi i Kombit” nga presidenti i Shqipërisë.

(Marrë nga Fjalori Enciklopedik i Kosovës, i ASHAK-ut)