Me çerekun e buxhetit të siguruar tashmë, projekti filmik “2000: A Post-war Odyssey” është në kërkim të mundësive për ta kompletuar pjesën financiare, me qëllim që filmi të marrë formë ashtu siç është planifikuar. Ndër synimet është që kastës t’i bashkohen edhe aktorë francezë. Një mundësi e mirë për projektin filmik të Zgjim Terziqit është edhe Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Selanik, që është pjesë e “Agora Market” në edicionin e 62-të të festivalit
Planet e tij janë që në filmin e tij të radhës të ketë në ekip edhe aktorë francezë. Është në bisedime me ta. Në anën tjetër, është duke kërkuar buxhet që gjithçka të shkojë ashtu siç e ka menduar.
Një mundësi që mund t’i hapë rrugë të tjera është Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Selanik. “2000: A Post-war Odyssey”, me skenar dhe regji të Zgjim Terziqit, është pjesë e “Agora Market” në edicionin e 62-të të festivalit. “Crossroads Co-production Forum” është programi që do të mbahet prej 5 deri më 9 nëntor, e në të cilin projekti filmik i Kosovës është përzgjedhur bashkë me 13 të tjerë.
Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Selanik prej 4 deri më 11 nëntor është gati për të mirëpritur sërish njerëz të kinematografisë greke, por edhe ata ndërkombëtarë. E tregu i festivalit do të ketë aktivitete të shumta për të shtruar rrugën e kinemasë të së nesërmes, siç është shkruar edhe në përshkrim, duke marrë rolin e një ndërmjetësuesi në mesin e atyre që janë pjesë e kinematografisë, gazetarëve, por edhe publikut.
E programi “Crossroad...” është një përzgjedhje e fuqishme e projekteve nga Mesdheu, Ballkani dhe Evropa.
“U jep producentëve dhe regjisorëve mundësinë për të prezantuar idetë e tyre te një numër i mundshëm i partnerëve financiarë gjatë katër ditëve në Selanik. Producentët do të bisedojnë dhe të tregojnë për projektet e tyre me bashkëproducentë, distributorë, agjentë të shitjes dhe konsultues”, është shkruar në uebfaqen e festivalit.
Në edicionet e kaluara, pjesë e programit ishin filma që sot janë fitues të çmimeve me rëndësi në kinematografi, si filmi “Ghosts” nga Αzra Deniz Okyay , “200 Meters” nga Ameen Nayfeh, “Mustang” nga Deniz Gamze Ergüven, “Silent River” nga Angelos Frantzis, “When I Sas You” nga Annemarie Jacir, “As I Open my Eyes” nga Layla Bouzid, “Park” nga Sofia Exarchou, “The Cakemaker” nga Ofir Raul Graizer, “Secret Ingredient” nga Gjorce Stavreski e të ngjashëm.
Pjesë e jurisë së sivjetme do të jenë agjentja e shitjes nga “Alpha Violet”, francezja Virginie Devesa, drejtuesi i programit “Ehen East Meets West” të Festivalit të Filmit në Trieste, Alessandro Gropplero dhe producenti nga studioja greke “Bauhaus”, Konstantinos Vassilaros.
Treshja do të jetë përgjegjëse për ndarjen e çmimeve: për post-produksion (imazh dhe zë), 8 mijë euro për zhvillim skenari, akreditim falas për Festivalin e Filmit në Cannes, mundësi për të qenë në mesin e projekteve të “Sofia Meeting” në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Sofje, bursë për punëtori nga “Mediterranean Film Institute”, bursë për punëtori nga “EAVE Marketing”. Pastaj “Finos Film” ofron 3 mijë euro për një projekt grek e “Iniciative Film” ofron konsulta, por po ashtu vetëm për projekte greke.
Kështu Terziqi së bashku me 13 filma të tjerë është në garë vetëm për 6 çmime.
“Gjithashtu si pjesë e marketit dhe forumit kemi të pre-organizuara takime me distributorë, agjentë të shitjes dhe producentë të ndryshëm të interesuar në projektin tonë. Ne sigurisht që shkojmë me dëshirën për të marrë çmim, por koha do ta zbulojë. Nëse do të fitonim, do të ishte çmimi ynë i tretë, pas atij në Budapest vitin e kaluar, dhe në ‘PriFest’ këtë vit. Pra do t’i kishim tri çmime ende pa e xhiruar filmin”, ka thënë ai.
Ka shtuar se kjo do t’i motivonte edhe më shumë, por edhe do ta thellonte bindjen e tyre se do të realizojnë një film të sinqertë dhe të bukur.
Ka treguar se për momentin janë duke punuar në fazën e financimit.
“QKK-ja na ka përkrahur me përafërsisht 25 për qind të buxhetit, pra tani kërkojmë të mbulojmë pjesën tjetër me ko-produksione ndërkombëtare, subvencione dhe shpenzime vetjake”, ka thënë ai. Ka treguar se xhirimet e kanë në plan t’i fillojnë në shtator të 2022-tës.
“Kjo varet nga mundësia jonë për të kompletuar buxhetin, por edhe nga agjenda e aktorëve francezë, pasi që me ata jemi në bisedime. Janë të tillë që kanë shumë oferta dhe angazhime në proporcion me famën e tyre në Francë”, ka thënë Terziqi.
Ka theksuar se rrëfimi është i trajtuar si komedi e zezë. Siç ka thënë regjisori, karakteret që jetojnë në këtë realitet janë të normalizuar me një situatë jonormale.
“Janë imunë ndaj fatkeqësive dhe anarkisë në të cilën jetojnë. Komedia kryesisht vjen nga anëtarët e cirkut dhe habia e tyre në atë që përjetojnë në Kosovën e porsadalë nga lufta. Megjithatë, kjo është vetëm në sipërfaqe. Trauma, dhimbja dhe tortura psikologjike e karaktereve që e përjetojnë këtë përditshmëri janë evidente në thelbin e filmit”, ka thënë ai.
Rrugëtimi i filmit kishte filluar në vitin 2019. Terziqi kishte arritur që të jetë në mesin e tetë fituesve të zgjedhur në konkursin e 2019-s të Qendrës Kinematografike të Kosovës për zhvillim skenari. E vitin e kaluar ishte në mesin e dy projektet të metrazhit të gjatë artistik që u mbështetën nga QKK-ja. Terziqit, iu ndan 140 mijë euro.
“Shpërthimi” kishte ndodhur pikërisht në 2020, kur me skenarin “2000: A post war Odyssey”, Terziqi bindi jurinë e Berlinales që vitin e kaluar të ishte pjesë e programit “Script Station”. Juria përzgjedhëse kishte shkruar se ai sulmon gjendjen e rajonit në një mënyrë komike dhe shumëngjyrëshe. Pastaj mori pjesë në “Torino Film Lab” dhe në “Budapest Debute Film Forum”, ku mori edhe çmim. Vazhdoi këtë vit me pjesëmarrje në “Otranto Film Lab”, “Balkan Film Market” dhe në “PriFilm Fest”, ku mori çmimin për realizim të video-postproduksionit.
Përveç “2000: A Post-war Odyssey”, pjesë e këtij programi janë edhe “Baby” me regji të Nikos Kyritsis, “Blackbird blackbird blackberry” nën regji të Elene Naveriani, “Dreaming of lions” nën regji të Paolo Marinou-Blanco, “Head nurse” nën regji të Jan Vejnar, “Ink wash” nën regji të Sarra Tsorakidis, “Lullaby” nën regji të Keti Machavariani, “Matilda has the last word (*as she always does)” nën regji të Andrei Creţulescu, “My father’s shoes” nën regji të Hristo Simeonov, “No smoking at the border” nën regji të Svitlana Topor, “Philax” nën regji të Rûken Tekeş, “Prometheus” nën regji të Yiorgos Fourtounis, “Shibboleth” nën regji të Alexandra Matheou dhe “Yugo Florida” nën regji të Vladimir Tagić.
Me skenar dhe regji nga Zgjim Terziqi dhe me producente Valmira Hyseni, “2000: A Post-war Odyssey” do të jetë prodhim i “Plan Bee Films”.