Projekti filmik “2000: A Post-war Odyssey” i regjisorit Zgjim Terziqi ka marrë çmimin e tretë, ende pa nisur xhirimet e filmit. Është shpërblyer në “Crossroads Co-production Forum” të Festivalit të Filmit në Selanik, që veçohet për një përzgjedhje të fuqishme të projekteve nga Mesdheu, Ballkani dhe Evropa.
Filmi ishte pjesë e “Agora Market” në edicionin e 62-të të festivalit. “Crossroads Co-production Forum” u mbajt prej 5 deri më 9 nëntor dhe “2000: A Post-war Odyssey” ishte përzgjedhur bashkë me 13 projekte të tjera. Në anën tjetër, Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Selanik nisi më 4 nëntor dhe do të përfundojë sot. Gjatë marketit, por edhe festivalit, qyteti grek mirëpret kineastë të vendit nikoqir dhe të huaj.
“Për këtë rrëfim zemërgjerë që zhvillohet në një kohë trazicionale për të dyja palët: botën dhe filmbërësit e vendit dhe për atë se si mund ta ruajmë të bukurën dhe buzëqeshjen në situata më të vështira të mundshme që një fëmijë mund të përballet me to”, është vlerësimi i jurisë për filmin e Terziqit.
Filmi zhvillohet në Kosovën e pasluftës. Në fokus është Lisi, babai i të cilit është i zhdukur dhe ai detyrohet të marrë mbi vete përgjegjësinë e kryefamiljarit. I bashkohet një ekipi të vogël cirku prej 3 francezësh.
Me çerekun e buxhetit të siguruar tashmë, projekti filmik “2000: A Post-war Odyssey” është në kërkim të mundësive për ta kompletuar pjesën financiare, me qëllim që filmi të marrë formë ashtu siç është planifikuar. Ndër synimet është që kastës t’i bashkohen edhe aktorë francezë. Kështu, çmimi i ri, sipas regjisorit, i ka hapur rrugë filmit nga Kosova.
“Jemi shumë të lumtur edhe krenar për çmimin nga CNC (Fondi i Filmit i Francës) për zhvillim të projektit në vlerë prej 8 mijë eurove. Kemi shkuar në Selanik me dëshirën për ta marrë këtë çmim, dhe ashtu rezultoi. Bashkëproducentja jonë në Francë ka disa javë që është duke e bërë dokumentacionin gati që të aplikojmë vitin e ardhshëm për fond të prodhimit të CNC-së, dhe ky çmim do të na ndihmojë t’i mbulojmë disa shpenzime, përfshirë përkthimin e skenarit në frëngjisht, udhëtimet në Francë dhe për ta filluar procesin e castingut”, ka thënë Terziqi, i cili është edhe skenarist i filmit.
Ka theksuar se rrëfimi është i trajtuar si komedi e zezë. Siç ka thënë regjisori, karakteret që jetojnë në këtë realitet janë të normalizuar me një situatë jonormale.
“Janë imunë ndaj fatkeqësive dhe anarkisë në të cilat jetojnë. Komedia kryesisht vjen nga anëtarët e cirkut dhe habia e tyre në atë që përjetojnë në Kosovën e porsadalë nga lufta. Megjithatë, kjo është vetëm në sipërfaqe. Trauma, dhimbja dhe tortura psikologjike e karaktereve që e përjetojnë këtë përditshmëri janë evidente në thelbin e filmit”, ka thënë ai. Terziqi ka treguar se për momentin janë duke punuar në fazën e financimit.
Pjesë e jurisë së sivjetme ishte agjentja e shitjes nga “Alpha Violet”, francezja Virginie Devesa, drejtuesi i programit “Ehen East Meets Ëest” të Festivalit të Filmit në Trieste, Alessandro Gropplero dhe producenti nga studioja greke “Bauhaus”, Konstantinos Vassilaros.
Treshja ishte përgjegjëse për ndarjen e çmimeve: për post-produksion (imazh dhe zë), 8 mijë euro për zhvillim projekti, akreditim falas për Festivalin e Filmit në Cannes, mundësi për të qenë në mesin e projekteve të “Sofia Meeting” në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Sofje, bursë për punëtori nga “Mediterranean Film Institute”, bursë për punëtori nga “EAVE Marketing”.
Rrugëtimi i filmit kishte filluar në vitin 2019. Terziqi kishte arritur që të jetë në mesin e tetë fituesve të zgjedhur në konkursin e 2019-s të Qendrës Kinematografike të Kosovës për zhvillim skenari. E vitin e kaluar ishte në mesin e dy projekteve të metrazhit të gjatë artistik, që u mbështetën nga QKK-ja. Terziqit iu ndanë 140 mijë euro.
“2000: A Post-war Odyssey” ia nisi mbarë kur Terziqi bindi jurinë e Berlinales që vitin e kaluar të ishte pjesë e programit “Script Station”. Juria përzgjedhëse kishte shkruar se ai sulmon gjendjen e rajonit në një mënyrë komike dhe shumëngjyrëshe.
Pastaj mori pjesë në “Torino Film Lab” dhe në “Budapest Debute Film Forum”, ku mori edhe çmim. Vazhdoi këtë vit me pjesëmarrje në “Otranto Film Lab”, “Balkan Film Market” dhe në “PriFilm Fest”, ku mori çmimin për realizim të video-postproduksionit.
Në edicionet e kaluara, pjesë e programit “Crossroads Co-production Forum” ishin filma që sot janë fitues të çmimeve me rëndësi në kinematografi, si filmat “Ghosts” nga Αzra Deniz Okyay , “200 Meters” nga Ameen Nayfeh, “Mustang” nga Deniz Gamze Ergüven, “Silent River” nga Angelos Frantzis, “When I Sas You” nga Annemarie Jacir, “As I Open my Eyes” nga Layla Bouzid, “Park” nga Sofia Exarchou, “The Cakemaker” nga Ofir Raul Graizer, “Secret Ingredient” nga Gjorce Stavreski e të ngjashëm.
Ndërkaq sivjet, përveç “2000: A Post-war Odyssey”, pjesë e programit ishin edhe “Baby” me regji të Nikos Kyritsis, “Blackbird blackbird blackberry” nën regji të Elene Naveriani, “Dreaming of lions” nën regji të Paolo Marinou-Blanco, “Head nurse” nën regji të Jan Vejnar, “Ink wash” nën regji të Sarra Tsorakidis, “Lullaby” nën regji të Keti Machavariani, “Matilda has the last word (*as she always does)” nën regji të Andrei Creţulescu, “My father’s shoes” nën regji të Hristo Simeonov, “No smoking at the border” nën regji të Svitlana Topor, “Philax” nën regji të Rûken Tekeş, “Prometheus” nën regji të Yiorgos Fourtounis, “Shibboleth” nën regji të Alexandra Matheou dhe “Yugo Florida” nën regji të Vladimir Tagić.
Me skenar dhe regji nga Zgjim Terziqi dhe me producente Valmira Hyseni, “2000: A Post-war Odyssey” do të jetë prodhim i “Plan Bee Films”.