Filmi “Lejlek” i Isa Qosjes është rikthyer tek audienca vendore në hapjen e festivalit “FerFilm” në Ferizaj gati nëntë muaj pas premierës botërore në Prishtinë. Në kapitullin e 13-të, festivali që synon ta mbajë ritmin e të sjellë magjinë e artit të shtatë, sjell 69 filma nga vende të ndryshme të botës por mbi të gjitha është festë për vlerat universale të botë së kinematografisë
Organizimi është modest, pa shumë jehonë, por Festivali Ndërkombëtar i Filmit “FerFilm” ka peshën e tij në skenën artistike. Në Ferizaj, për pesë ditë do të shfaqen 69 filma nga e gjithë bota që garojnë në katër kategori të festivalit. Rrëfimin kinematografik e ka nisur filmi “Lejlek” i Isa Qosjes në ceremoninë e hapjes, të premten mbrëma në teatrin “Adriana”.
Ngjarja që programin e ndërton krejtësisht me filma të shkurtër, kujdeset që hapjet e edicioneve të jenë më të veçanta. Sjell filma pa dallim nga minutazha.
Në ceremoninë e hapjes së edicionit të 13-të, filmi afër njëqindminutësh i Isa Qosjes i ka prirë programit të pasur që mbyllet me 6 maj me shpalljen e fituesve. Është rikthyer para publikut vendor, pas premierës botërore shtatorin e vitit të kaluar, në edicionin e 16-të të “PriFilmFestit” në Prishtinë.
Drejtori i festivalit, Sabri Pajaziti, ka thënë se sivjet filmat shfaqen në tri hapësira dhe se ngjarja do të zhvendoset edhe në Prizren e në Shtime.
“Kemi pasur përgatitje prej fundvitit të 2024-tës kur kemi hapur aplikacionet për filma, ndërsa tri javë ditët e fundit, si grup i festivalit kemi filluar të mblidhemi për të kryer disa punë praktike. Gjithçka është gati. Filmat do të shfaqen në tri kinema të improvizuara: në teatrin ‘Adriana’, kino-galeria në Galerinë e Arteve në Prizren ku do të shfaqen filmat e animuar dhe kinemaja në Shtëpinë e Kulturës në Shtime, me të cilët kemi pasur një bashkëpunim të mirë”, ka thënë Pajaziti.
Pasditeve, prej orës 16:00 shfaqet blloku i filmave ku, disa prej filmbërësve ndërkombëtarë që do të jenë të pranishëm, do të zhvillojnë edhe bashkëbisedim me organizatorët e publikun për filmat e tyre.
Pajaziti ka bërë të ditur se midis 300 filmash kanë zgjedhur 69 të tillë për programin e sivjetmë me katër kategori garuese: animacion, dokumentar, fiktiv dhe eksperimental. Ka thënë se periudha kohore kur mbahet festivali është e favorshme, por sfidë janë mjetet nga Ministria e Kulturës që ende nuk janë ndarë për organizata e individë.
“Muaji maj si muaj i festivalit i ka dy medalje: se këtë muaj ka shumë pak aktivitete, tjetra është që është periudha më e papërshtatshme për nxjerrjen e fondeve. Ende nuk e dimë se çfarë rezultate do të kemi, por megjithatë ne kemi vendosur ta mbajmë sepse është paralajmëruar qysh gjashtë muaj më herët dhe ne duhet të qëndrojmë besnikë karshi partnerëve dhe dashamirëve të filmit”, ka thënë Pajaziti.
Të shtunën, në ditën e dytë të festivalit është shfaqur edhe filmi “Violinisti” i Saimir Bajos, po ashtu jashtë garës.

Filmat vijnë nga Rumania, Bullgaria, Filipinet, Irani, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Holanda e shumë vende të tjera.
Pos “Lejlek” si shfaqje speciale, nuk ka filma vendorë në garë, ndërsa nga Shqipëria janë filmat “Një ndodhi në det” i Bertrand Shijakut dhe “Arti the equal” nga Gentian Minga, të dy filma të animuar.
Animatori shqiptar Ergys Faja do të vlerësojë këtë kategori filmash.
“Është hera e parë që jam në Ferizaj, por edhe si anëtar i jurisë. Është shumë kënaqësi të përzgjedh filmin e animuar specifikisht, por edhe filmat e tjerë”, ka thënë ai.
Ka theksuar se kinematografia e Kosovës është e zhvilluar në të gjitha zhanret, por se mbetet prapa në animacion.
“Nuk më vjen mirë që në Kosovë nuk është i zhvilluar animacioni pasi Kosova ka një kulturë shumë të mirë të filmit artistik, të shkurtër, të dokumentarit, por siç duket e ka lënë pas dore disi animacionin. Artistët kosovarë kanë prirje për të kapur atë që është më kontemporane, kështu që kanë mundësi të bëjnë shumë gjëra të bukura”, ka thënë ai derisa e vlerëson sjelljen e filmave ndërkombëtarë si edukim për këtë zhanër në skenën artistike në Kosovë.
“Është shumë mirë për edukimin e të rinjve me filmat e animuar, por me sa pashë programin e festivalit, është serioz. Është në profilin e tij sepse është festival i filmit të shkurtër ku futen zhanret e filmit të animuar, eksperimental dhe fiksion”, është shprehur Faja.
Nata e hapjes ka qenë një lloj feste e organizatorëve e publikut. Publiku ka mbushur sallën e teatrit “Adriana”. Një prezantim i shkurtër i programit të sivjetmë i ka paraprirë intros së festivalit e filmit.
“Lejlek” hapet me peizazhet e bukura të fshatit Vuthaj në Mal të Zi, si homazh për vendlindjen e Qosjes, regjisor e skenarist i filmit. Skenat flasin shumë, pa rrëfyer. Krejt në fillim, Imeri – rol që e luan Donat Qosja - vetëvritet dhe e veja Suta, që luhet nga Arta Dobroshi, për t’iu shmangur martesës me kunatin, zgjedh të bëjë jetesë burrash. Tradita shqiptare është e pashkëputur në rrëfimin e filmit. Reflekton edhe në zakonet e krejt trevave shqiptare.
Përkundër presioneve, Suta zgjedh të mos u nënshtrohet zgjedhjeve të të tjerëve për të. Me lojën e aktores së mirënjohur, Dobroshi, roli i saj portretizon edhe vuajtjet, por edhe guximin për të kundërshtuar në ato kohë.
Në anën tjetër Jasemi, që luhet nga Shkumbin Istrefi, sjell një tjetër realitet që ngjante në trevat shqiptare. Kur gruaja e tij ka telashe për të mbetur shtatzënë, ai nuk heziton aspak të sjellë një tjetër në shtëpinë e tij. E trishtë është se si gruas së parë i duhet të kthehet në shtëpinë e Jasemit dhe gruas së re të tij për të jetuar së bashku duke u përballur çdo ditë me imazhin e tyre tek shijojnë lumturinë e gëzime, madje edhe pritjen e fëmijës.
Një tjetër portretizim i asaj me çfarë janë përballur plot familje shqiptare janë edhe çifti i moshuar që luhen nga Kumrije Hoxha dhe aktori tashmë i ndjerë, Mirush Kabashi. Janë pasqyrë e të moshuarve që jetojnë vetëm, pasi fëmijët kanë marrë rrugët e migrimit. Ata komunikojnë më djalin e tyre (Arben Bajraktaraj) nëpërmjet internetit. E fundit dëshirë, siç duket, është martesa e të birit, prandaj edhe i jepen oferta nga ta, por i ndikuar nga jeta në SHBA, ka ndërruar mënyrën e jetesës, përfshirë edhe orientimin seksual.
Një program i veçantë i filmave shqiptarë jashtë garës është gjithashtu pjesë e këtij edicioni, ndërsa si vitet e kaluara do të organizohen edhe vizitat në atraksione natyrore për vizitorët e huaj.
Programi qendror i festivalit “FerFilm” shtrihet në Teatrin e Qytetit në Ferizaj. Që nga fillimi, kjo hapësirë ka qenë jetike për ngjarjen. Drejtori i teatrit “Adriana”, Fatmir Hyseni, ka thënë se i mirëpresin ngjarje të tilla që e ngrenë jetën artistike në qytet.
“I kemi disa festivale që organizon Komuna dhe në mungesë të sallave të tjera, Teatri duhet t’i zvogëlojë aktivitetet e veta, të shfaqjeve që i kemi në repertor dhe t’u bëjmë hapësirë aktiviteteve të tjera kulturore që janë në qytetin tonë. Besoj se kjo çështje do të zgjidhet me sallën që do të ndërtohet te qendra multikomplekse, e cila është e paraparë të ketë edhe një sallë teatri dhe muzeun e galerinë”, ka thënë Hyseni.
“FerFilm” është veç një prej ngjarjeve të cilave teatri “Adriana” u ka bërë vend.
“Këtu janë zhvilluar aktivitetet prej 1943, siç i kemi shënimet tona. Në atë kohë ka luajtur Katerina Josipi në këtë teatër, në kohën kur gratë në vendet evropiane i luanin meshkujt, tek ne ka luajtur një grua dhe kjo është shumë e rëndësishme. Është e rëndësishme edhe për shkak të trashëgimisë që e bart, jo vetëm atë arkitektonike, por edhe atë shpirtërore sepse kanë ndodhur shumë aktivitete në këtë shtëpi”, ka thënë ai.
I nisur si festival më 2013, “FerFilm” me njërën prej ambicieve që është bërë e ditur kaherë, synon që të promovojë kulturat dhe vlerat universale botërore nëpërmjet filmit.