Vjollca Robelli - AJO është këngëtare dhe tekstshkruese që jeton e vepron në Londër. Rrënjët e saj, Kosova, janë të lidhura shumë me muzikën dhe performancat e saj. Ajo inspirohet nga trashëgimia e saj shqiptare, duke vënë në pah emocionet dhe elementet e muzikës tradicionale në një ambient të jazz-it.
Me një grup, me muzikantë të njohur nga Evropa, AJO i ka dhënë formë punës së saj 17-vjeçare përmes këngës së EP-së “Besa”, publikuar në qershor 2019. Këngët e saj tregojnë histori të vërteta për nderin, tradhtinë, gëzimin dhe dhembjen, mungesën dhe kthimin në shtëpi, dhe për konceptin unik që ka besa për shqiptarët, shkruan sot “Koha Ditore”.
Për albumin e saj, AJO ka bashkëpunuar me profesionistë të muzikës, duke përfshirë: Aram Zarikian, Danny Rico, William Collier, Emma Watson, Alessio Marsio dhe Xhemil Gjini. Andrew Philips, kompozitori i nominuar për “Emmy” dhe “Oscar”, ka punuar në këngën e tetë të albumit, ndërsa hapat finalë të postproduksionit janë bërë nga Max Gilkes nga studioja e incizimeve “1 Sonic Production”, e nominuar po ashtu për “Grammy” dhe “Mercury”.
Në vitin 2002 AJO fitoi famë për herë të parë në Kosovë dhe Shqipëri, kur lansoi një këngë që u bë hit nën emrin e saj të vërtetë, Vjollca Robelli.
Kënga – po ashtu e titulluar “AJO”- kishte për qëllim që të rriste vetëdijen ndaj pandemisë së AIDS-it dhe gjeti shumë përkrahje. Ishte në mesin e hiteve në shumë televizione, por edhe në radio-stacione, po ashtu u rendit e dyta në renditjen regjionale të “BBC TOP of the Pops”, fitoi çmimin si videoja më e mirë rock në “VideoFest”, dhe Vjollca ishte nominuar ambasadore e muzikës për të rinj në të njëjtin vit. Edhe pas 17 vjetëve kënga është akoma e njohur, çfarë ka bërë që Vjollca ta marrë titullin e saj si emër skenik e që nënkupton “Ajo”.
Vjollca ishte zhvendosur në Londër në vitin 2004 për të studiuar për vokal, muzikë dhe menaxhim të mediave, ku jeton së bashku me burrin e saj, Urimin, dhe katër fëmijët e tyre.
Robelli është personazhi i kësaj jave që rrëfehet në rubrikën e përjavshme “7 Shkronjat” në “E diela e Koha Ditore”.
Puna. Kam filluar me televizion si prezantuese lajmesh dhe pastaj në programin e mëngjesit. Meqenëse muzika ka qenë gjithmonë me mua, fillova ta interpretoja atë në vitin 2002.
Që prej atëherë krijimtarinë time e kam shprehur përmes muzikës, besoj se kjo është gjuhë universale përmes së cilës kuptohemi të gjithë.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)