Kulturë

Shkrimtarit nuk i ka hije karrigia

Kjo intervistë e shkrimtarit Rexhep Hoxha është botuar në “Koha Ditore” në 10 shkurt 2010

Gjithmonë e kishte në kokë se shkrimtarit nuk i ka hije karrigia, prandaj Rexhep Hoxha thotë të mos i ketë bërë lajka ndokujt deri tash. Lajka që shumë kolegë të tij kishin bërë.

Kishte qenë zë opozitar në kohën e monizmit, i tillë edhe ndaj strukturave paralele që kishin ngritur shqiptarët në kohën e regjimit të Milosheviqit, dhe doli të mbetet po i njëjti edhe tash kur Kosova po mbush dy vjet, prej kur është mëvetësuar, shkruan sot Koha Ditore.

Ministria e Kulturës ia ka ndarë sivjet (më 2010 v.j.) çmimin kombëtar letrar për vepër jetësore “Azem Shkreli”. Por, nuk e ka pranuar. Ka dhënë këtë arsye: “Duke qenë se këtë çmim e jep një Qeveri servile ndaj të huajve dhe mashtruese ndaj të vetëve, këtë çmim e refuzoj”.

Në një intervistë dhënë të martën “Kohës Ditore”, shkrimtari Rexhep Hoxha ka folur më në detaje për arsyet që e kanë shtyrë të marrë këtë vendim. Thotë të jetë i lënduar shumë nga realiteti kosovar – ka njerëz që nuk kanë për ta mbushur stomakun, kurse ka një elitë politike që nuk ngopet së krijuari benificione për vete.

“Është reagim ndaj situatës që e kanë krijuar udhëheqësit e Kosovës. Kjo është kryesorja”, ka thënë shkrimtari 81-vjeçar, nektar kryesor i të cilit është vepra për fëmijë “Lugjet e verdha”. “Prej paslufte të njëjtë kanë qenë. Situata nuk ka ndryshuar për të mirë”.

Ai ka përmendur zyrtarët e lartë të pangopur për t'u pasuruar në kurriz të Kosovës së varfër – deputetët me rroga shumëfish me të mëdha se mjekët, mësuesit, policët, gjyqtarët. Po kështu, ka përmendur luksin që ia ka bërë vetes shtresa politike. Ky realitet e ka prekur. 

“Unë lëndohem kur dëgjoj se gruaja e ka varë veten, ngase nuk ka pasur me çka t’i ushqejë fëmijët. Shpirti im lëndohet. E, shiko në Parlament çka lypin – vetura, shoferë, lypin edhe sekretare, ndoshta. Edhe për këtë lëndohem”, ka përmendur shkrimtari Hoxha shembuj që e tregojnë realitetin e dhimbshëm në Kosovë. “Çka më duhet mu çmimi që ma dhanë ata. Paraja vjen e shkon. Unë jam kundër tyre, kundër këtyre dhe kundër intelektualëve, sepse shumica e tyre janë të korruptuar”.

(shkrimin e plotë e gjeni në numrin e sotëm të “Kohës Ditore”)