Kulturë

“17 Shkurti” i Obiliqit bëhet me bibliotekë, me mision për nxitjen e leximit

Valentina Dednica, e cila është maturante në gjimnazin “17 Shkurti” në Obiliq, tashmë kohën e pushimit ndërmjet orëve e shfrytëzon më ndryshe se muajt e kaluar. Pasionin për të lexuar e përmbush edhe gjatë qëndrimit në shkollë.

E këtë ia ka mundësuar vendosja e rafteve të librave në korridor të shkollës. Librat janë lehtë të qasshëm për të gjithë nxënësit. Projekti i realizuar nga organizata “ETEA” ka përmbushur dëshirën e kamotshme të nxënësve të kësaj shkolle për të pasur një hapësirë ku mund të lexojnë libra, por edhe të diskutojnë.

Raftet me ngjyra të ndezura e kanë bërë këtë kënd edhe më atraktiv. Pranë rafteve janë të vendosura tavolinat me ulëse, duke iu mundësuar nxënësve që librat e përzgjedhur t’i lexojnë brenda objektit të shkollës.

Vetëm tre ditë pasi që u përurua biblioteka në gjimnazin “17 Shkurti” në Obiliq, ajo është pasuruar me rreth 100 libra në gjuhën shqipe dhe angleze. Ky projekt është realizuar me kërkesë të nxënësve të shkollës, të cilët kanë adresuar nevojat e tyre për shkollën.

“Jemi ndarë të kënaqur pasi që është realizuar dëshira jonë që ta kemi një kënd të leximit dhe kohën e lirë mund ta kalojmë në shkollën tonë. Tashmë mund të qëndrojmë këtu edhe pas mësimit dhe të lexojmë”, ka thënë për KOHËN, nxënësja Valentina Dednica.

Ngjashëm edhe për Dea Dednicën ky është bërë këndi i saj i preferuar. Ajo thotë se kanë mirëpritur këtë iniciativë edhe më shumë pasi që erdhi në kohën e pandemisë.

“Duke marrë parasysh edhe situatën me pandeminë, librat kanë qenë mundësia më e mirë për të udhëtuar pa lëvizur. Nga këtu kemi filluar të marrim librat dhe është një hapësirë shumë e mirë për ta kaluar kohën mes orëve”, është shprehur nxënësja Dea Dednica.

Libraria “Dukagjini” ka dhuruar rreth 60 libra dhe pjesa tjetër janë donacion i organizatës “ETEA”. Por, edhe që iniciativat e ish-nxënësve kanë filluar duke ua hapur dyert të gjithëve që ta pasurojnë bibliotekën me libra.

Image

“Është realizuar dëshira jonë që ta kemi një kënd të leximit”, ka thënë, Valentina Dednica, maturante në gjimnazin “17 Shkurti” në Obiliq


Drejtoresha e shkollës, Besa Gashi-Dvorani, e kishte marrë mandatin e drejtoreshës në fillim të vitit të kaluar dhe një ndër planet e saj kryesore kishte qenë që ta bëjë shkollën me bibliotekë.

Ajo ka folur edhe për synimet për pasurimin e bibliotekës.

“Nga Drejtoria Komunale e Arsimit më kanë premtuar se do ta plotësojmë pjesën tjetër të rafteve me libra. Do të fillohet me fushën e gjuhës dhe komunikimit, ku profesorët e gjuhës shqipe do të kërkohet të bëjnë një listë me libra që iu duhen gjimnazistëve që të vazhdojnë me libra të fushave të tjera”, ka thënë Gashi-Dvorani.

Për realizimin e këtij projekti në bashkëpunim me organizatën “ETEA”, nxënësit janë trajnuar paraprakisht mbi rëndësinë e aktivizmit në shkolla. Ata gjatë ditëve të trajnimit kanë identifikuar eliminimin e mangësive në shkollën e tyre.

Donat Sheremeti nga organizata “ETEA” ka thënë se nxënësit kanë nisma shumë të dobishme për shkollën, por që duhet të përkrahen edhe nga drejtoritë e komunave përkatëse.

“Bashkëpunimi me shkollën ‘17 Shkurti’ ka qenë shumë i natyrshëm. Kohëzgjatja e projektit ka qenë tre muaj, gjatë kësaj kohe kemi mbajtur ligjërata me nxënësit e kësaj shkolle, të cilët i kemi familjarizuar me idenë e aktivizmit qytetar dhe nevojat shkollore që duhet të plotësohen. Kjo është një nismë e vogël që duhet të vazhdohet nga komuniteti dhe përkrahet edhe në nivel institucional”, ka thënë Sheremeti.

Nga gjimnazi “17 Shkurti” kanë thënë se mirëpresin këdo që dëshiron ta pasurojë bibliotekën e tyre, që ta plotësojnë edhe më shumë qëllimin e tyre për të nxitur leximin te nxënësit.