Kulturë

“Sytë” për dashuri e muzikë

Dielli si yll që gjendet në qendër të sistemit solar, i rrethuar me planetë e yje, paraqet një konstelacion që reflektohet shumë mirë në muzikën e bendit më të ri të kryeqytetit, “Sytë”.

Krejt këto gjenden edhe në kopertinën e EP-së së parë të cilën tashmë e ka lansuar. Shërben si formë shumë mirë për të përshkruar se si anëtarët e këtij bendi janë inspiruar për të krijuar muzikën e tyre.

Drin Tashi në kitarë e sint bashkë me Nita Kajën si tekstshkruese dhe vokaliste e nisën këtë projekt muzikor, i cili në vete ngërthen pesë këngë, të gjitha me tekste në gjuhën angleze. Mbase një stil muzikor jo fort i pazakontë për botën, për Kosovën vjen si risi, shkruan Koha Ditore.

Muzika e tyre gërsheton ritme të muzikës R&B dhe soul e pop, por me elemente që “Sytë” i bën të veçantë. Kjo EP në anën tjetër shpalos edhe historinë e dashurisë mes Tashit e Kajës, që rezultoi me këtë projekt muzikor. Përveç tyre, bendi kompletohet edhe me Fatlind Feratin në bas kitarë dhe Granit Havollin në bateri dhe perkusione. Pjesë e bendit ka qenë edhe kitaristi Senad Jamini.

“Sytë” tashmë ka performuar në disa lokale dhe festivale në Kosovë dhe Shqipëri, dhe për një kohë të shkurtër kanë arritur që të krijojnë audiencën e vet. E ardhmja e tyre duket premtuese./ Sihana Klisurica