Të lindur në vitet ’30 e ’40 të shekullit të kaluar, njëqind persona të moshuar kishin dhënë rrëfimet e tyre, ku përthyhej historia njëshekullore e Kosovës.
Në to kishte rrëfime, dëshmi e kujtime për njerëz që nuk jetojnë më, për një botë të dikurshme, për ankthe, gëzime e hidhërime.
Në më shumë se 3 mijë faqe transkript ishte shtrirë lënda e të parit botim të kujtesës kolektive në vendin tonë. “Kujtesa e Kosovës, 100 rrëfime nga 100 pleq e plaka” ishte projekti që kishte nisur qysh në fund të vitit 2017 si projekt mes Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe Departamentit të Antropologjisë në Universitetin e Prishtinës.
Në qershor të vitit të kaluar, gjatë një ceremonie në BKK, projekti dhjetëvëllimësh ishte botuar vetëm në dhjetë ekzemplarë promovues. Ministri i asokohshëm i Kulturës, Kujtim Gashi, kishte premtuar se do të mbështetej edhe përkthimi i projektit në gjuhën angleze, ashtu që të bëhej i qasshëm për përdoruesit e huaj.
E, megjithatë, vëllimet me historitë gojore të personave të moshuar nuk e kanë parë dritën e botimit as pas një viti. Në qershor, Ministria e Kulturës ka njoftuar për kontratën e “botimit të vëllimeve ‘Projekti Kujtesa e Kosovës për Bibliotekën Kombëtare të Kosovës’”.
Edhe
“Kujtesa e Kosovës...” dokumenton tragjedinë e Krushës së Madhe
Sipas dosjes në faqen “E-Prokurimi” të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, projekti ishte paraparë të realizohej më së largu në fillim të muajit prill.
“Për arsye të pandemisë Covid-19 rrezikohet qëndrueshmëria e projektit, sepse kanë kaluar të gjitha afatet e parapara në dinamikën e realizimit të projektit, pasi që projekti ka qenë i planifikuar të realizohet në periudhën e fundit të muajit mars dhe në fillim të muajit prill”. Gazeta gjatë ditës ka provuar të marrë një deklaratë nga zyrtarët ministrorë, por kjo ishte e pamundur.
Gjithnjë sipas tenderit në fjalë, të dhjetë vëllimet me gjithsej 3.365 faqe parashihet të botohen secili me nga 500 ekzemplarë.
Drejtori i BKK-së, Fazli Gajraku, është shprehur optimist se së shpejti do të botohen vëllimet me historitë gojore të personave të moshuar.
Edhe
“Kujtesa e Kosovës...” me 200 rrëfime dokumenton tragjedinë e Krushës së Madhe
Në një prononcim për KOHËN, ai ka bërë të ditur se ka pasur shkëputje në fillim të këtij viti edhe me rastin e ndërrimit të shpeshtë të qeverive.
“Por me aq sa jam vënë në dijeni prej Ministrisë së Kulturës, janë vetëm çështje procedurale te tenderit deri në botimin e vëllimeve të projektit”, ka thënë Gajraku.