Zv/ministrit Musa Cena, Hazë Shehut dhe Nysret Shalës, që keqpërdorën detyrat zyrtare, u është zëvendësuar burgimi me dënim me gjobë.
Gjykata Themelore në Prishtinë - Departamenti i Krimeve të Rënda ka shpallur sot Aktgjykimin kundër të akuzuarve Musa Cena, Hazër Shehu dhe Nysret Shala.
Zv.ministri Cena, që u shkarkua nga kjo detyrë nga kryeministri Haradinaj, është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 180 ditësh sepse në bashkëkryerje, ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-ës.
Me pëlqimin e tij, dënimi i shqiptuar prej 180 ditësh burgim i është zëvendësuar me dënim me gjobë, në shumën prej 5.000 €, të cilën shumë obligohet ta paguaj në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, në të cilin dënim do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga dt. 20.10.2018 deri më 15.11.2018.
I akuzuari Nysret Shala është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 180 ditësh sepse, po ashtu, në bashkëkryerje ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-ës. Me pëlqimin e të pandehurit N.SH, dënimi i shqiptuar prej 180 ditësh, burgim i është zëvendësuar me dënim me gjobë në shumën prej 4.000 €, të cilën shumë obligohet ta paguaj në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, në të cilin dënim do ti llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga dt. 20.10.2018 deri më 15.11.2018.
I akuzuari Hazër Shehu është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 90 ditësh, sepse ka kryer veprën penale, ndihma në kryerjen e veprës penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 par.1 lidhur me nenin 33 të KPRK-së. Me pëlqimin e të pandehurit H.SH, dënimi i shqiptuar prej 90 ditëve burgim, i është zëvendësuar me dënim me gjobë në shumën prej 2.000 €, të cilën shumë obligohet ta paguaj në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, në të cilin dënim do ti llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga dt. 20.10.2018 deri më 15.11.2018.
Edhe
Apeli lë në paraburgim ish-zëvendësministrin Cena
Të akuzuarit Musa Cena, Hazër Shehu dhe Nysret Shala duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar kishin tejkaluar kompetencat e tyre, me qëllim që të përfitojnë dobi pasurore të kundërligjshme .
Palët kanë të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit të Kosovës.