Një person është vrarë sot në fshatin Pakashticë të Podujevës, ndërsa është arrestuar një i dyshuar.
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka pranuar rreth orës 16:00 informata për rastin e vrasjes.
Në vendin e ngjarjes është arrestuar i dyshuari F.B. 34-vjeçar, ndërsa janë sekuestruar dy armë të gjuetisë.
Vdekja e viktimës M.K. 30-vjeçar është konstatuar nga ekipi mjekësor.
“Aktualisht hetuesit policor, janë duke punuar në koordinim me prokurorin për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin”, ka thënë zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë është deklaruar rreth vrasjes së sotme në fshatin Pakashticë të Podujevës, ku një person mbeti i vdekur dhe një tjetër është arrestuar.
Edhe
Vrasja në Pakashticë dyshohet se ndodhi nga pakujdesia
Zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj, ka thënë për KOHËN se prokurorja kujdestare nga Departamenti i Krimeve të Rënda ka dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në mënyrë që të sqarohen rrethanat e rastit.
“Mund t'ju njoftoj se prokurorja kujdestare nga Departamenti i Krimeve të Rënda ka dalë në vendin e ngjarjes, ku ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e një personi. Aktualisht janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për t'i sqaruar rrethanat e rastit. Lidhur me zhvillimet e tjera do t'ju mbajmë të informuar”, ka thënë Ulaj.