Ka vdekur të premten në QKUK, punëtori i cili ishte rrëzuar një ditë më parë në një vendpunishte të një ndërtese në Mitrovicë.
Lajmin për KOHËN e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zaiti.
Ai ka thënë se viktima, E.G., i moshës 35-vjeçare ka vdekur sot në QKUK, në orët e mbrëmjes, si pasojë e lëndimeve të marra nga rënia me ashensorin e vinqit.
“Me datën 24 qershor 2021, rreth orës 12:00, është raportuar se një punëtor kishte rënë me ashensorin e vinqit dhe kishte pësuar lëndime. I lënduari është dërguar për tretman mjekësor në QKUK. Ngjarja ka ndodhur në një objekt ndërtimi në rrugën " Agim Ramadani" në Mitrovicë. Ndërsa sot me datë 25 qershor 2021, rreth orës 19:00, nga QKUK është raportuar se i lënduari viktima E.G., 35 vjeçar, ka vdekur. Lidhur me rastin është njoftuar prokuroi i rastit i cili ka urdhëruar që trupi i pajetë i viktimës të dërgohet në IML për obduksion”, ka thënë Zaiti.
Ai ka shtuar se hetuesit policorë janë duke vazhduar hetimet lidhur me rastin.