Fehmi Salihu, punëtor i termocentralit “Kosova A”, ka vdekur të premten pas mesnate në vendin e tij punës.
Ai ishte duke bërë kontrollin teknik të makinerisë në një lartësi prej 30 metrash, ku sipas raportit të Policisë, ka rënë aksidentalisht, raporton KTV.
Megjithatë, Policia po e heton rastin si ‘vdekje e dyshimtë’.
Kolegët e tij tregojnë se i kanë pasur të gjitha pajisjet e nevojshme për punë, megjithatë për shkak të lartësisë i ndjeri nuk u ka mbijetuar plagëve.
Ky është rasti i 43-të që punëtorët në Termocentral kanë vdekur në vend të punës, që nga paslufta.
Për këtë, kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, thotë se problemi qëndron në vjetërsinë e objektit dhe pajisjeve.
Ndërsa, zyrtarë të KEK-ut nuk kanë pranuar të flasin për KTV-në rreth rastit.
Ata, përmes një komunikate, u kanë shprehur ngushëllime familjarëve dhe kanë njoftuar se është krijuar një komision për të hetuar shkaqet e vdekjes së punëtorit të tyre.
Siguria e punëtorëve në vend të punës vazhdon të jetë e ulët, veçanërisht e atyre në sektorin e ndërtimit.
Rreth 15 raste të vdekjeve në vend të punës janë shënuar vetëm gjatë vitit 2017.