Një 49-vjeçar ka humbur jetën në lagjen Veternik në Prishtinë, pasi ka rënë nga një lartësi derisa ishte duke punuar.
Zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka konfirmuar për KOHËN se rasti është raportuar rreth orës 10:00.
“Viktima mashkull, 49 vjeç, nuk ka arritur të përballojë plagët dhe i njëjti në vendin e ngjarjes ka ndërruar jetë. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje", ka thënë Ahmeti.
Policia, në koordinim me Prokurorinë dhe Inspektoratin e Punës, ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e rastit.
Sipas shifrave zyrtare, deri më 29 korrik, 12 persona kanë humbur jetën në vendin e punës. Javëve të fundit, ndërkaq, dy vdekje janë regjistruar në KEK.
Ndalohet një person për vdekjen e punëtorit në vendpunishte në Veternik
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se është ndaluar një person për rastin e vdekjes së një punëtori të hënën në një vendpunishte në lagjen “Veternik” në Prishtinë.
Punëtori kishte rënë nga lartësia derisa ishte duke punuar dhe ka humbur jetën si pasojë e lëndimeve.
“Në kuadër të veprimeve të ndërmarra deri më tani, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar një person i dyshuar me inicialet Xh.Sh., për 48 orë, nën dyshimin e kryerjes së veprës penale ‘’Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës’’, nga neni 358 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Gjithashtu, në vendin e ngjarjes janë intervistuar edhe dëshmitarët okularë, ndërsa po vazhdon grumbullimi dhe administrimi i provave relevante për sqarimin e plotë të rrethanave të këtij rasti. Prokurori i çështjes, brenda afatit ligjor, do të shqyrtojë mundësinë e paraqitjes së kërkesës për caktimin e ndonjërës prej masave të sigurisë ndaj të pandehurit, në përputhje me dispozitat ligjore të Kodit të Procedurës Penale”, ka njoftuar Prokuroria.