Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të premten ka arrestuar tre persona të dyshuar për përfshirje në një therje me thikë një ditë më parë në Pejë.
Policia e Kosovës ishte informuar të enjten në mbrëmje për një rast, i cili ka ndodhur në rrugën “Fehmi Agani” në Pejë.
Policia menjëherë ka dalë në vendngjarje, aty ka takuar viktimën i cili deri sa ishte në derën e banesës është sulmuar nga persona të panjohur me mjete të mprehta. Viktima është dërguar në spitalin rajonal në Pejë, nga aty i njëjti për shkak të natyrës së lëndimeve është dërguar në QKUK në Prishtinë.
Pas një pune intensive të Policisë është arritur të identifikohen dhe arrestohen tre persona të dyshuar: F.U. i lindur me 2001, M.Q. i lindur me 1999 dhe E.L. i lindur me 2000. Të dyshuarit pas intervistimit me urdhër të Prokurorit të shtetit janë ndaluar për 48- orë.