Dy persona janë therur me thikë të martën në mëngjes në Pejë, ndërsa të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes dhe ndodhen në arrati.
Sipas informacioneve të Policisë, rasti ka ndodhur rreth orës 08:45 në rrugën "Mbretëresha Teutë". Menjëherë pas marrjes së njoftimit, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku është konstatuar se dy persona ishin sulmuar me mjet të mprehtë.
Të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Pejës. Sipas mjekëve, gjendja e tyre shëndetësore është stabile.
Ndërkohë, personat e dyshuar janë larguar nga vendi i ngjarjes menjëherë pas sulmit dhe vazhdojnë të jenë në arrati.
Policia ka bërë të ditur se është duke punuar intensivisht për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.