Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Themelorja e Gjilanit ngre aktakuzë për vrasje në tentativë dhe sulm

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Gjilan ndaj të pandehurve I.C. dhe E.A. (2000), për shkak të veprës penale “Vrasje në tentativë”, ndërsa ndaj të pandehurve E.A. (1997), E.A. (1994), E.S., F.K., dhe B.K., për shkak të veprës penale “Sulm”.

Sipas aktakuzës, të pandehurit I.C. dhe E.A. (2000), më 12 nëntor 2018, në stacion të autobusëve në Gjilan, për shkak të një mosmarrëveshje, me veprimet e tyre, me dashje kanë tentuar ta privojnë nga jeta të dëmtuarin M.B, në atë mënyrë që i pandehuri I.C., e godet dy herë me thikë, në bel dhe në shpinë, ndërsa i pandehuri E.A., e godet dy herë me një kaçavidë në gjoks dhe stomak, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Po ashtu, i pandehuri I.C., e godet me thikë edhe të dëmtuarin tjetër E.H., të cilit i shkakton lëndime të lehta trupore.

Gjithashtu, në kohën dhe vendin e njëjtë, të pandehurit E.A. (1997), E.A. (1994), E.S., F.K., B.K., me dashje kanë përdorë forcën, ashtu që me grushte dhe shqelma i kanë goditur të dëmtuarit F.SH., E.H., E.SH., M.B., dhe R.V., në pjesë të ndryshme të trupit.

Të pandehurit I.C., dhe E.A. (2000), gjenden në masën e paraburgimit, ndërsa i pandehuri E.A. (1997), gjendet në masën e lajmërimit në stacionin policor, që nga data 15 nëntor 2018.

Prokurori i çështjes ka kërkuar nga gjykata që të pandehurit të shpallen fajtorë për veprat e kryera penale dhe të dënohen sipas Ligjit.