Në një dasmë të mbajtur në fshatin Petrovë të komunës së Shtimes, janë raportuar të shtëna me armë zjarri rreth orës 09:00 të mëngjesit të së martës, ka njoftuar Policia në Ferizaj.
Sipas autoriteteve, pas marrjes së informatës, policia ka identifikuar dhe kontaktuar një nga të dyshuarit, i cili ka dorëzuar armën që dyshohet të jetë përdorur në këtë ngjarje festive. Arma është konfiskuar nga policia.
Në prani të avokatit të caktuar sipas detyrës zyrtare, është intervistuar i dyshuari A.B., 23 vjeç, për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armës”. Gjithashtu, në kuadër të hetimeve është intervistuar edhe A.M., 45 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Prokurori i Shtetit është njoftuar për rastin dhe, sipas vendimit të tij, të dyshuarit janë liruar për t’u hetuar në procedurë të rregullt.
Policia Rajonale e Ferizajt ka përsëritur apelin ndaj qytetarëve që të shmangin përdorimin e armëve në raste festash, duke theksuar rrezikun serioz që paraqet kjo praktikë për jetën dhe sigurinë publike.
-
Shtiu me armë në dasmë, 56-vjeçarit i konfiskohet arma dhe leja e saj
-
Arrestohet një person në Shtime që shtiu me armë në një aheng familjar
-
53-vjeçari shtiu me armë zjarri në një aheng familjar në Shtime
-
Sekuestrohet një armë zjarri pas disa të shtënave në Jezerc të Ferizajt
-
Policia konfiskon tri armë zjarri në Ferizaj në dy raste të ndara