Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Të shtëna me armë në kryeqytet, bllokohet rruga “Dëshmorët e Kombit”

Të shtëna armësh janë dëgjuar mbrëmjen e së hënës në kryeqytet, përkatësisht afër katedrales “Nënë Tereza”. Me ç’rast rruga “Dëshmorët e Kombit” është ndaluar për qarkullim nga Policia.

Se kishte të shtëna armësh e ka konfirmuar për KOHËN edhe zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha.

Siç ka bërë të ditur ai, nuk raportohet për të lënduar. Ndërkaq rastin e ka raportuar një person i cili ka deklaruar se dy të dyshuar kanë shtënë në drejtim të tij, derisa ishin duke lëvizur me një skuter.

“Njësitë relevante të stacionit policor ‘Jugu’ iu janë përgjigjur menjëherë informatës dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes. Njësitë policore në vendin e ngjarjes kanë hasur në personin mashkull, i cili ka deklaruar se deri sa ishte duke dalë nga një market, dy persona të panjohur të cilët kishin qenë në një skuter, kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të tij. Sipas tij ai ka dëgjuar rreth 5 të shtëna, por nuk është qëlluar. Nuk raportohet për viktima tjera deri në këtë moment. Policia janë ende në vendin e ngjarjes duke ndërmarr veprime operacionale dhe hetimore për të sqaruar rrethanat e këtij rasti”, ka thënë ai.