Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Shoferi e përshkruan në Gjykatë aksidentin ku mbeti e vdekur një 30-vjeçare në Prishtinë

Gjyqtarja e procedurës paraprake, Lumnije Krasniqi, ka marrë vendim për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji për L.M., shoferin që goditi për vdekje një 30-vjeçare në Prishtinë dhe lëndoi një tjetër, më 22 tetor.

Në aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të siguruar nga gazeta Koha Ditore theksohet se ndaj të pandehurit, i lindur në vitin 1999, është caktuar kjo masë e paraburgimit për shkak të veprës penale “Rrezikim i trafikut publik”.

Në arsyetim janë përmendur detajet e aksidentit të 22 tetorit në “Rrugën B”. Aksidenti kishte ndodhur rreth orës 16:00. I pandehuri me veturën e tij BMW kishte shkelur ligjin mbi trafikun publik dhe kishte vënë në rrezik jetën e njerëzve, sipas arsyetimit.

Shoferi që aksidentoi për vdekje 30 vjeçaren 2 ditë më parë, i përfshirë edhe në aksidente tjera

Dy viktimat, tashmë e ndjera L.A. dhe e lënduara F.R. ishin duke kaluar rrugën në vendkalim nga e djathta në të majtë në momentin e goditjes. I pandehuri ka thënë se i vjen keq për aksidentin dhe ka shpjeguar se ka qenë duke vozitur paralelisht me autobusin, në pjesën e fundit të autobusit. Ai ka thënë se në një moment autobusi ka frenuar vrullshëm, dhe se ky nuk ka pasur pamjen e plotë gjë që ka shpirë te aksidenti.

Gjykata ka vlerësuar se nëse lirohet, ekzistojnë rrethana që tregojnë se ai mund të ndikojë te viktima F.R. dhe në dëshmitarë dhe mund të pengojë rrjedhën e procedurës penale si “dhe duke pas parasysh edhe peshën e veprës penale dhe se pasojat e veprës penale janë shumë të rënda, që ka rezultuar me vdekjen e të ndjerës L.A. dhe me lëndime të rënda ndaj të dëmtuarës F.R.,dhe për këtë arsye është e domosdoshme që të caktohet masa e paraburgimit ndaj të pandehurit”.

I pandehuri ka kundërshtuar kërkesën për caktim të paraburgimit duke thënë se nuk do të ikë nga organet e drejtësisë. Mbrojtja e të pandehurit kishte kërkuar që të mundësohet caktimi i masës së arrestit shtëpiak, por kjo nuk është pranuar nga Gjykata që vlerësoi se kërkesa e prokurorisë është e bazuar.

Edhe Një muaj paraburgim për shoferin që aksidentoi për vdekje 30-vjeçaren në “Rrugën B” Kronikë Një muaj paraburgim për shoferin që aksidentoi për vdekje 30-vjeçaren në “Rrugën B”

Sipas vendimit, u vlerësua se ka bazë ligjore për caktimin e paraburgimit sepse “ekziston rreziku i ikjes pasi që të pandehurit i kanoset dënim me burgim prej 1 deri në 8 vjet, prandaj mund të ikë apo të fshihet me qëllim të shmangies së përgjegjësisë penale dhe me këtë do të ndikonte në zvarritjen e procedurës”.

“Ekzistojnë rrethana të posaçme që tregojnë se nëse i pandehuri lihet në liri, do të ndikojnë në të dëmtuarën dhe në dëshmitarë, lidhur me rastin e aksidentit, të cilët ende nuk janë intervistuar nga Prokuroria, me çka do të pengojë rrjedhën e procedurës penale, rrethana këto që paraqesin shkaqe ligjore të parapara me nenin 187 par. 1 nën par. 1.1 dhe 1.2, pika 1.2.2 të KPPRK-së, mbi caktimin e paraburgimit. Po ashtu, duke pas parasysh peshën dhe pasojën e veprës penale, për faktin se në këtë aksident trafiku ka humbur jetën një person dhe tjetri ka pësuar lëndime të rënda trupore, pra edhe këto rrethana paraqesin shkaqe ligjore të parapara me nenin 187 par. 1 nën par. 1.1 dhe 1.2, pika 1.2.3. të KPPRK-së, mbi caktimin e paraburgimit”, thuhet në vendimin e siguruar nga Koha Ditore.