Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Shkatërrohet një laborator i drogës në Zveçan

laboratori i kanabisit në Zveçan

Policia e Kosovës ka njoftuar se në një shtëpi në fshatin Kamestak të Zveçanit rreth orës 11:00 të martën është kryer një bastisje, ku është zbuluar dhe shkatërruar një laborator për kultivim të drogës.

Brenda janë hasur katër të dyshuar, tre serbë të Serbisë, L.S. (1995), B.D. (1997) dhe M.A. (1966) dhe një serb i Kosovës, L.S. (1992), të cilët janë arrestuar.

“Gjatë kontrollit në brendi të shtëpisë; në katin e parë kishte dy dhoma të rregulluara me ndriçim, ventilim dhe saksi dhe një dhomë në të cilën kishte bimë të dyshuara narkotike kanabis duke u tharë dhe pothuaj të gatshme për treg. Në katin e dytë ndodhej një dhomë me bimë të dyshuara të kanabisit duke u tharë po ashtu të gatshme për shitje, tri dhoma me bimë të reja të dyshuara si kanabis, një dhomë me ndriçim dhe saksi, një dhome vetëm me saksi të grumbulluara dhe një dhomë e destinuar si depo”, thuhet nga Policia.

Janë konfiskuar 15 kilogramë marihuanë të gatshme për treg, 808 bimë të dyshuara kanabisi duke u tharë të gatshme për treg, 1531 bimë të reja të dyshuara si kanabis, 6 telefona celular, 5 palë gërshërë, sistemi i ventilit, 164 drita ndriçimi për kultivim, 124 trafo për furnizim me energji, 3000 saksi për kultivim.

“Deri në tërheqjen e plotë të dëshmive njësitet relevante nga stacioni policor Zveçan mbesin në lokacion, përderisa rasti mbetet nën hetime të mëtejme nga antidroga e Policisë së Mitrovicës Veri. Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori kujdestar me urdhër të të cilit katër (4) të dyshuarit e arrestuar pas dhënies se deklaratave dërgohen në ndalim për 48 orë”, thuhet nga Policia.

Sipas Policisë vlerësohet se vlera e drogës së sekuestruar e kalon shifrën e 1 milion euro në treg, ndërsa pajisjet për kultivimin e kanabisit shifrën e 450 mijë euro.

“Bëhet fjalë për një grup të strukturuar kriminal të cilët kanë vepruar në shitjen e narkotikeve në Republikën e Kosovës dhe në Serbi”, thuhet nga Policia.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka njoftuar po ashtu për aksionin.

Sveçla në një postim në Facebook ka thënë se Policia e Kosovës në vendin e ngjarjes ka sekuestruar 2000 fije kanabisi.

“Sapo është shkatërruar laboratori i radhës i kultivimit të substancave narkotike në Komunën e Zveçanit. Deri tash, nga Policia e Kosovës në vendin e ngjarjes janë sekuestruar mbi 2.000 fije kanabis, janë arrestuar 3 shtetas serb të Serbisë dhe 1 shtetas serb i Kosovës. Vazhdojmë me intensitet të shtuar dhe pakompromis të luftojmë secilin individ apo grup, pa dallim dhe kudo në Kosovë, që përmes veprimtarive ilegale cenojnë jetën e qytetarëve tanë”, thuhet në postimin e Sveçlës.

 

Artikuj të ngjashëm