Shaban Gogaj është dënuar me dënim unik prej 7 vjet e gjashtë muaj burgim për rastin e vrasjes e Agonis Tetajt, pas rigjykimit.
Gogaj në këtë rast është dënuar për dy vepra penale, "vrasje nga pakujdesia’ dhe "mbajtja në kontroll, posedimi i paautorizuar i armës".
“I akuzuari Shaban Gogaj është fajtor për shkak të veprës penale ‘vrasje nga pakujdesia’, ‘mbajtja në kontroll, posedimi i paautorizuar i armës’. I akuzuar Isuf Cacaj është fajtor për shkak të veprës ‘mbajtja në kontroll, posedimi i paautorizuar i armës’. Gjykata të akuzuarit i gjykon: Të akuzuarit Shaban Gogaj për vrasje nga pakujdesia i cakton dënim me burgim me pesë vjet, për "mbajtje në kontroll, posedimi të paautorizuar të armës" tri vjet. Dënim unik i shqiptohet 7 vjet e gjashtë muaj”, ka thënë kryetarja e trupit gjykues.
https://www.facebook.com/watch/?v=1606605880144473&ref=sharing
Në këtë rast ka qenë i akuzuar edhe Isuf Cacaj. Ai është akuzuar për veprën penale “armëmbajtje pa leje”, për të cilën është dënuar me gjobë prej 2,000 euro.
Avokatët e të dyja palëve në rastin e vrasjes së Tetajt do ta apelojnë aktgjykimin e Themelores
Avokati i familjes Tetaj, Berat Tmava, ka thënë se nuk kanë pasur besim te trupi gjykues dhe se aktgjykimin do ta apelojnë.
“Që nga fillimi nuk kemi pasur besim në trupin gjykues për atë arsye edhe familja edhe unë si mbrojtje e kemi bojkotuar seancën. Aktgjykimi është i papranueshëm dhe do ta apelojmë. Presim shumë që Gjykata e Apelit ose do ta kthejë sërish në rigjykim, ose do t’ia shqiptojë një dënim më të ashpër”, ka thënë Tmava.
E avokati i Gogajt, Besnik Berisha, po ashtu ka lajmëruar se do ta apelojnë këtë vendim. Sipas tij, është e padrejtë që Gogaj të dënohet me tre vjet për armëmbajtje pa leje e Cacaj të dënohet vetëm me gjobë. Për këtë ai ka thënë se do të apeloj.
Agonis Tetaj është qëlluar me armë zjarri më 23 shtator të vitit 2018 në vendin e tij të punës nga Shaban Gogaj, djali i pronarit të firmës ku ishte angazhuar tashmë i ndjeri.
Më 14 tetor 2022 Gjykata Themelore në Pejë kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Shaban Gogaj, duke e dënuar kështu me 7 vite e 6 muaj burgim për vrasje nga pakujdesia të Agonis Tetajt
Trupi gjykues, në shpallje të aktgjykimit, e kishte rikualifikuar veprën penale me të cilën akuzohej Gogaj, nga “vrasje e rëndë” në “vrasje nga pakujdesia”.
Pas shqyrtimit të ankesave të mbrojtësit të Shaban Gogajt, avokatit Besnik Berisha, palës së dëmtuar, avokatit Berat Tmava dhe ankesën e Prokurorisë Themelore në Gjilan Gjykata e Apelit më 23 mars 2023 e kishte kthyer lëndën në rigjykim.
Apeli kishte vlerësuar se Themelorja nuk i ka vlerësuar në masë të duhur të gjitha provat të cilat e karakterizojnë çështjen penale.