Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Sekuestrohen rreth 300 mijë euro në portin e Durrësit

Një sasi prej 294 030 euro, janë sekuestruar nga policia shqiptare në portin e Durrësit.

Sipas policisë janë kaluar në vijën e dytë për kontroll të imtësishëm 2 mjete tip kamion, të cilët transportonin mjete Itali-Shqipëri, me drejtues Ferdinant Murikaj., dhe A. L.

Gjatë kontrollit në automjetin me drejtues shtetasin F. M., gjetën të fshehura në pjesë të ndryshme të mjetit një sasi vlere monetare prej 282 265 eurosh. Në vijim të veprimeve u arrestua në flagrancë shtetasi Ferdinant Murikaj., 29 vjeç, banues në Lezhë, për veprën penale “Mosdeklarimi i të hollave dhe sendeve me vlerë në kufi”.

Shërbimet e Policisë kanë vijuar me kontrollin e automjetit tjetër me drejtues A. L., ku në çantën personale të tij, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një sasi vlere monetare prej 11 765 eurosh, transmeton KOHA.

Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, proceduan penalisht shtetasin A. L., 34 vjeç, banues në Lushnjë, për veprën penale “Mosdeklarimi i të hollave dhe sendeve me vlerë në kufi”.

Po në vijim të veprimeve u bë shpallja në kërkim e shtetasit Erjon Jovani., 36 vjeç, (pronari i firmës që bënte transportin e mjeteve), për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.