Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Sekuestrohen mbi 520 mijë euro, u gjetën në pjesën e sipërme të një autobusi në Portin e Durrësit

Mbi 520 mijë euro të padeklaruar dhe mallra të kontrabanduara (kafe, cigare, pije alkoolike, ilaçe, karroca për fëmijë, pajisje elektroshtëpiake dhe veshmbathje) janë sekuestruar të premten në Portin e Durrësit nga një autobus i linjës Padova – Lushnje.

Policia ka thënë se rasti është zbuluar pas një hetimi njëmujor.

“Si rezultat i kontrollit të imtësishëm, në pjesën e sipërme të autobusit janë gjetur të fshehura 6 qese plastmasi, brenda të cilave kishte disa pako, me rreth 522 000 euro, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me mallrat e dyshuara të kontrabanduara që u gjetën në brendësi të autobusit (kafe, cigare, pije alkoolike, ilaçe, kuti me mentesha, karroca për fëmijë, elektroshtëpiake dhe veshmbathje)”, thuhet në njoftim të Policisë.

Siç ka bërë të ditur Policia e Shqipërisë, për rastin janë tre persona: E. Ç., 32 vjeç, pronar dhe drejtues i autobusit; D. K., 36 vjeç dhe A. C., 32 vjeç, ndihmësit e drejtuesit të autobusit.