Në rastin ku F.S. akuzohet se e ka privuar nga jeta motrën e saj T.S., në Fushë-Kosovë, specialisti i serologjisë Bashkim Mustafa, ka konstatuar se në thonjtë e dorës së majtë të viktimës nuk ka profil të ADN-së të ndonjë personi tjetër.
Një konstatim të tillë specialisti Mustafa e dha duke sqaruar ekspertizën e 30 janarit të këtij viti dhe duke u përgjigjur në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarës F.S., avokati Halit Shaljani, se a është gjetur ndonjë mostër e të akuzuarës F.S., gjatë ekzaminimit të trupit të viktimës.
Sipas tij, profili i ADN-së të fituar nga shalli dhe thonjtë e dorës së majtë të të ndjerës T.S. përputhet vetëm me profilin e ADN-së së saj, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndërsa, avokati Shaljani i ka propozuar gjykatës që në cilësi të dëshmitares të dëgjohet psikologjia Kumrie Haxhiu, e cila sipas tij, është duke e trajtuar të mbrojturën e tij në qendrën e paraburgimit në Lipjan. Tutje, ka propozuar që të ftohet edhe njëherë eksperti i psikiatrisë forenzike, pasi që sipas tij, ka dallime substanciale në mes të raportit të psikiatrisë dhe dëshmisë së të njëjtit.
Këto propozime janë refuzuar nga trupi gjykues, i udhëhequr nga gjykatësi Kushtrim Shyti. Sipas tij, nuk është e nevojshme të dëgjohet psikologja Haxhiu, e as eksperti i psikiatrisë forenzike, pasi që vlerësimin për gjendjen e shëndetit mendor të të akuzuarës e ka dhënë Instituti i Psikiatrisë Forenzike si institucion i vetëm që ka kompetenca për të dhënë mendime të tilla.
Edhe
Gjykimi për vrasjen e motrës, mbrojtja: S’ka dyshim, e akuzuara vuan nga një sëmundje mendore
Kurse, pas administrimit të provave është ftuar të merret në pyetje e akuzuara F.S.
Mirëpo, avokati Shaljani pas konsultimit me të mbrojturën e saj, ka thënë se e njëjta nuk është duke e kuptuar rëndësinë e veprës për të cilën po akuzohet.
Ndërsa, e njëjta deklaroi se nuk i kujtohet asgjë, duke shtuar që nuk është tip që i lëndon njerëzit.
“Mua nuk më kujtohet asgjë se nuk jam tip që i lëndoj njerëzit dhe personi i fundit me qenë në burg jam unë. Nuk është burgu për mu”, ka shtuar tutje F.S.
Pas deklarimeve të tilla, gjykatësi Shyti propozoi që të kalohet në fjalën përfundimtare.
Mirëpo, avokati kërkoi kohë shtesë për përgatitjen e fjalës përfundimtare, meqë pas rihapjes së këtij shqyrtimi gjyqësor janë pranuar prova të reja dhe janë marrë në pyetje dëshmitarë.
Andaj, seanca e sotme është shtyrë, kurse e radhës është caktuar me 15 mars të këtij viti.
Prokuroria Themelore në Prishtinë më 9 maj 2021 ka ngritur aktakuzë ndaj F.S e cila akuzohet se deri sa ishte në dhomën e fjetjes së tani të ndjerës T.S që gjendet në Fushë Kosovë, në gjendje të përgjegjësisë esencialisht të zvogëluar, nga motive të panjohura e kishte privuar nga jeta motrën e saj T.S.
Edhe
Rihapet rasti për të akuzuarën për vrasjen e motrës në Fushë-Kosovë
Sipas aktit akuzues, derisa tani e ndjera ishte e shtirë në krevatin e dhomës së saj e pandehura fillimisht e kishte shtrënguar në qafë dhe fyt e më pa e kishte lidhur edhe shaminë në fyt, me ç’rast nga ngufatja kishte ndërruar jetë, ndërsa e pandehura kishte ikur nga vendi i ngjarjes duke kërcyer nga dritarja.
Lidhur me këtë, F.S po akuzohet për veprën penale “Vrasje e rëndë”. BetimipërDrejtësi