Prokuroria Themelore në Prishtinë po e heton rastin në Podujevë si vrasje të rëndë. Burimet e KOHËS në hetuesi thanë se i viktima vdiq si pasojë e goditjeve me shkop bejsbolli. Po ashtu, burimet thanë se raportimi për përdorim të thikës në vendngjarje ka të bëjë me viktimën 18-vjecare L.F., e jo me dy të miturit që janë në paraburgim si të dyshuar
Kosova është tronditur nga një tjetër vrasje, ajo e 18-vjeçarit në Podujevë, që vdiq si pasojë e plagëve të marra nga rrahja prej dy të rinjve.
Policia më 15 janar, në raportin ditor, tha se bëhet fjalë për “vrasje në tentativë” dhe therje me thikë. Por në Emergjencën e QKUK-së folën për lëndime në kokën e viktimës, që për pasojë solli edhe vdekjen e të riut.
“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që të njëjtit kanë therur me thikë viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor në QKMF Podujevë dhe më pas është dërguar për në QKUK Prishtinë. Njësiti policor në vendin e ngjarjes ka konfiskuar një thikë dhe një veturë. Me vendim të prokurorit dy të dyshuarit dërgohen në mbajtje”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë, të datës 15 janar.
Por pas vdekjes së 18-vjeçarit, vepra është ricilësuar në vrasje të rëndë.
Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë së Prishtinës, tha se dy të dyshuarit, të dy të mitur, janë në paraburgim dhe se një prej të dyshuarve ka të kaluar penale.
“Tashmë kemi një situatë tjetër për shkak se viktima ka ndërruar jetë dhe rasti është duke u trajtuar si vrasje e rëndë. Po vazhdojnë të ndërmerren veprime hetimore në kuadër të kësaj vepre penale. E gjithashtu me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në obduskion”, tha Ulaj.
Burime të KOHËS në hetuesi thonë se dyshimi fillestar që çoi në konflikt është një mosmarrëveshje me motive të ulëta një ditë para incidentit.
Burimet, po ashtu, i thanë KOHËS se në kallëzim penal, që është bërë në ditën e incidentit kur 18-vjeçari ishte gjallë, thuhet se ai është goditur me shkop bejsbolli nga i dyshuari kryesor dhe se vetë viktima e ka gërvishtur me thikë njërin prej sulmuesve.
Autopsia e trupit të viktimës është kryer, por ushtruesi i detyrës së drejtorit i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Ditor Haliti, tha se raporti pritet t’i dorëzohet Prokurorisë brenda dy javësh.
I dyshuari kryesor, E.K. ka të kaluar penale sipas Gjykatës Themelore në Prishtinë. Atij më herët i ishte shqiptuar masë edukative si dënim për armëmbajtje pa leje.
“Lidhur me këtë rast, Gjykata e Shkallës së Parë ka vendosur më 28.02.2021 me të cilin, të miturit E.K. ia ka shqiptuar masën edukativo-korrektuese në kohëzgjatje prej 2 vjetëve, masë e cila nuk do të ekzekutohet nëse i mituri E.K. brenda afatit prej 3 vjetëve nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit nuk kryen vepër tjetër penale dhe përmbush detyrimet e veçanta si: heqja dorë nga kontakti me personat e caktuar që mund të kenë ndikim negativ në të, të vazhdojë shkollimin dhe të heqë dorë nga mbajtja e çfarëdo arme”, thuhet në përgjigjen e kësaj Gjykate.
Lidhur me këtë rast, të hënën është mbajtur mbledhje urgjente e Këshillit për Siguri në Bashkësi në Komunën e Podujevës. Kryetari Shpejtim Bulliqi tha se do të shqyrtohen të gjitha masat për më shumë siguri në bashkësi.
“Ne tash edhe sot edhe në të ardhmen do të diskutojmë për ndërmarrjen e masave preventive me qëllim të zvogëlimit dhe parandalimit që raste të tilla të mos ndodhin më”, theksoi Bulliqi.
Edhe Inspektorati Policor i Kosovës ka konfirmuar gjatë ditës së hënë se ka iniciuar hetim për veprimet e policisë lidhur me rastin ku mbeti i vrarë 18-vjeçari L.F.