Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka nisur hetim për të mbledhur informacione mbi veprimet e zyrtarëve policorë, në rastin e vrasjes së 18-vjeçarit nga Podujeva.
IPK-ja i ka thënë KOHËS se veprimet e mëtutjeshme do të ndërmerren varësisht nga gjetjet preliminare.
“Duke ju referuar kërkesës suaj ju informojmë se lidhur me këtë rast Inspektorati Policor i Kosovës sipas detyrës zyrtare ka filluar një hetim preliminar që përfshin përveç tjerash edhe grumbullimin e informacioneve shtesë rreth veprimeve të policisë si dhe sigurimin e të gjitha shkresave lidhur me këtë rast. Veprimet tjera do të ndërmerren varësisht nga të gjeturat e hetimit preliminar dhe autorizimeve ligjore të IPK-së”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.
https://www.koha.net/kronike-e-zeze/406481/vdiq-i-riu-nga-podujeva-qe-u-rrah-dite-me-pare/
Rastin e 18-vjeçarit, Policia e Kosovës e kishte cilësuar si vrasje në tentativë, duke thënë se viktima ishte therur me thikë.
“Podujevë 14.01.2024-13:00. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që, të njëjtit kanë therur me thikë viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor në QKMF Podujevë dhe më pas është dërguar për në QKUK Prishtinë. Njësiti policor në vendin e ngjarjes ka konfiskuar një thikë dhe një veturë. Me vendim të prokurorit dy të dyshuarit dërgohen në mbajtje”, thuhet në raportin 24-orësh, të dërguar ditë më parë.
Ndërsa, Prokuroria Themelore në Prishtinë fillimisht e kishte cilësuar rastin si tentimvrasje, e më pas e ka ricilësuar si vrasje e rëndë.
18-vjeçari ka vdekur të shtunën (21 janar) derisa po trajtohej në Qendrën Klinike e Universitare të Kosovës (QKUK). Ai kishte lëndime të rënda në tru.
Ushtruesi i detyrës së zëvendësdrejtorit të IML-së, Ditor Haliti, ka thënë se autopsia e 18-vjeçarit është kryer më 21 janar, e raporti pritet t’i dorëzohet Prokurorisë brenda dy javëve.
“Mund të konfirmoj që autopsia e tani të ndjerit L.F. nga Podujeva është kryer më 21.01.2024, me urdhëresë të Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Raporti i autopsisë pritet të kryhet brenda dy javëve dhe do t’i dorëzohet prokurorit përgjegjës. Derisa nuk dorëzohet, raporti nuk mund të komentojmë rreth përmbajtjes së tij”, ka thënë ai për KOHËN.