Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Qëllohet me automatik në Tiranë banesa e gazetares Klodiana Lala

Në Shqipëri, një sulm me armë ka ndodhur sot në orët e para të mëngjesit në banesën e gazetares së kronikës në Televizionin “News 24”, Klodiana Lala. Ndaj ndërtesës në një zonë në periferi të Tiranës është qëlluar me breshëri automatiku. Në fasadën e banesës njëkatëshe, dallohen qartë shenjat e plumbave mbi mure, dyer dhe dritare.

Në momentin e sulmit, në shtëpi ndodheshin fëmijët e gazetares, prindërit dhe vëllai i saj, raporton Zëri i Amerikës. Policia tha se ka nisur menjëherë hetimet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Për ngjarjen reagoi menjëherë dhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, duke folur për një “ngjarje të rëndë dhe serioze”. Në deklaratën e tij, Unioni “i bën thirrje Policisë së Shtetit që urgjent të hetojë ngjarjen dhe të dërgojë autorët para drejtësisë, pasi çdo vonesë do të ndikojë edhe më shumë në acarimin e klimës së lirisë së shprehjes në Shqipëri. Policia nuk duhet të merret me detaje që çorodisin më shumë opinionin por të gjejë autorin ose autorët e kësaj ngjarjeje shumë të rëndë. Kur sulmohet lajmësi, rrezikohet rëndë një nga të drejtat themelore kushtetuese”.

Klodiana Lala është një gazetare me eksperiencë që prej shumë vitesh mbulon ngjarjet e kronikës së zezë, ndërsa ka qenë e pranishme në debate të shumta televizive, ku janë trajtuar zhvillimet kryesore që lidhen me aktivitetin e grupeve kriminale në vend.