Kronikë

Prokuroria ngre aktakuzë për vrasje të rëndë në malet e Pleshinës në Ferizaj

Aktakuzë dhe burgim

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit me iniciale L.F.,-nga komuna e Ferizajt, për veprën penale “Vrasja e rëndë”.

Sipas aktakuzës, ekziston dyshimi i bazuar se me datë 23 janar në fshatin Pleshinë e Ulët, në një zonë malore në afërsi të rrugës “Rilindja”  të fshatit Manastirc, i pandehuri me dashje dhe në mënyrë dinake, ka privuar nga jeta tani të ndjerin B.V.

Një ditë para ngjarjes L.F. dhe viktima kishin planifikuar të qëndronin në një vilë në malet e fshatit Burrnik. Pasi kishin qëndruar atje një natë, të nesërmen kishin nisur rrugën për t’u kthyer në shtëpi përmes zonës malore të fshatit Pleshinë. Për arsye të panjohura, ata kishin devijuar rrugën drejt Manastircit, ku i pandehuri dyshohet se ka qëlluar viktimën në kokë me armën që i ndjeri e kishte me vete – një pushkë gjysmë automatike të tipit kallashnikov – duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse. Më pas, ai e kishte mbuluar trupin me dhe dhe degë.

Trupi i pajetë i viktimës u gjet më 5 shkurt 2025 nga qytetarët, ndërsa autopsia konfirmoi se vdekja kishte ardhur si pasojë e plagës me armë zjarri në kokë.

Prokurori i çështjes i ka propozuar Gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën për të cilën akuzohet.