Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Prishtinë, iniciohet rast ndaj një 23-vjeçari nën dyshimin se inskenoi një grabitje

Policia e Kosovës ka intervistuar të enjten një person në Prishtinën nën dyshimin për kallëzim të rrejshëm.

Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka treguar se pas zhvillimit të hetimeve në lidhje me një rast të grabitjes të raportuar më 16 janar, është vërtetuar se ankuesi ka inskenuar rastin.

“Sot pas intervistimit, në koordinim me prokurorin e shtetit, është bërë rikualifikimi i veprës, dhe ndaj personit të dyshuar A.M, mashkull 23 vjeç, është iniciuar rast për lajmërim apo kallëzim të rrejshëm”, tha Ahmeti, raporton KOHA. 

I dyshuari më 16 janar në rrugën “Hazir Haxholli” në Prishtinë, ka njoftuar policinë se është ndaluar në rrugë nga tre persona të panjohur dhe nën kërcënimin e armës ata ia kanë marrë makinën, para të gatshme dhe një telefon celular.

Pas kryerjes së veprës të dyshuarit me veturën e viktimës kanë ikur nga vendi i ngjarjes duke u aksidentuar në rrethojën e një kompanie private, ku e kanë braktisur veturën.