Kronikë

Porositi vrasës me pagesë për ta ekzekutuar bashkëshortin shqiptar, arrestohet gruaja në Itali

Një shqiptar me inicialet P.C., dyshohet se është ekzekutuar në banesën e tij në Rocca Priora të Italisë më 13 dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa vrasjen e tij dyshohet se e ka porositur bashkëshortja e viktimës, për çka është arrestuar.

Ngjarja raportohet të ketë ndodhur pasi bashkëshortja e viktimës është përballur me abuzime të shumta nga ai, për çka ka aktivizuar të vëllain për të gjetur vrasës me pagesë, raportoi të enjten “TCH”.

Dy vrasës me pagesë kanë udhëtuar nga Shqipëria për në Itali për ta kryer porosinë për të cilën janë paguar.

Ata kanë inskenuar një grabitje në shtëpinë e shqiptarit e më pas e kanë sulmuar me thikë, duke i shkaktuar plagë në qafë dhe në trup me pasojë vdekjen. Pasi ekzekutuan planin e vrasjes, ata janë kthyer në Shqipëri po atë mbrëmje, falë mbështetjes së porositësve të vrasjes.

Karabinierët e njësisë hetimore të Grupit Frascati janë vënë në gjurmët e vrasësve dhe kanë arritur ta identifikojnë mjetin e përdorur dhe rrugët e përshkuara prej autorëve të krimit atë ditë.

Ka qenë vetë gruaja ajo që u ka dhënë alarm karabinierëve se gjoja zbuloi trupin e bashkëshortit të vrarë pas një grabitje në shtëpi.